Telegrafi

Ekspertët, Konferenca për “Kosovën e Re” e papërgatitur mirë

Konferenca ndërkombëtare për energjetikë nuk ka marrë vlerësime pozitive nga opozita e cila e ka quajtur dështim këtë konferencë për shtimin e interesimit për investime të huaja në sektorin energjetik në Kosovë.

Përderisa zyrtarë të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave kishin deklaruar se rreth 50 kompani do të merrnin pjesë në konferencën ndërkombëtare për “Kosovën e Re”, e cila u mbajt javën e kaluar në Prishtinë, opozita thotë se ky numër ka qenë shumë më i vogël.

Sipas ekspertëve të energjisë dhe zyrtarëve të opozitës, Konferenca ndërkombëtare për investitorë ka rezultuar e pasuksesshme dhe ka qenë e papërgatitur.

Ethem Ceku, ish – ministër i Energjisë dhe Minierave, tha për “Lajm”, se në krahasim me kompanitë që kanë qenë pjesëmarrës në konferencën e kaluar, kjo e tanishmja ka shënuar rënie dhe degradim tejet të madh.

“Tani më nuk janë ato kompanitë të mëdha amerikane, franceze, gjermane të cilat më herët kanë qenë të interesuara për këtë projekt. Ndërsa, kompanitë prestigjioze tani nuk besoj se do t’i joshë ky projekt”, tha ai. Çeku thekson se kjo konferencë ka qenë krejtësisht e papërgatitur nga organizatorët, sepse sipas tij, e gjithë infrastruktura ligjore, strategjia dhe të gjitha dokumentet e rëndësishme për një konferencë nuk kanë qenë të përgatitura.

“Të gjitha ligjet dhe strategjitë janë drafte, janë duke u rishqyrtuar në aspektin ligjor në Kuvendin e Kosovës. Prandaj kjo është gafa e dytë e madhe nga organizatorët”. Ai vlerëson se së pari duhet të përfundojë procesi i hartimit, draftimit, rregullimit të infrastrukturës ligjore, ndërkohë që strategjia duhet të kalojë në parlament dhe ky i fundit duhet të përcaktojë çfarë kapaciteti prodhues i nevojitet Kosovës.
Myzejene Selmani, kryetare e Komisionit parlamentar për energjikë, tha se prezantimi i shprehjes së interesit brenda konferencës për termocentralin “Kosova e Re”, u bë në mënyrë sipërfaqësore.

“Qeveria vetëm sa për ta përmirësuar imazhin e vet e organizoi këtë konferencë e cila ishte plotësisht e pasuksesshme”. Ndonëse zyrtarë të MEM-it kishin deklaruar se numri i investitorëve atë ditë kishte qenë 50 sosh, Selmani e mohon këtë duke thënë se numri i pjesëmarrësve ka qenë shumë më i vogël.

Sipas saj, problem tjetër është edhe paketa e termocentralit që është prezantuar para investitorëve. “Në këtë paketë është edhe ‘Kosova B’ për shprehjen e interesit, që kjo është tmerri më i madh që mund të ndodhë. Qeveria nuk di të mendojë dhe nuk ka ekspertë brenda grupit të vet që të shohë se ku janë interesat e qytetarëve”.

Ndërkohë, ekspertja e energjisë, Fllanza Hoxha, thotë se prolongimet që janë bërë me vite në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, kanë lënë pasoja dhe prandaj edhe interesimi i investitorëve seriozë nuk do të jetë shumë i madh. “Mbajtja e konferencës ishte një hap përpara, por në konferencë u dëshmua se nuk kishte interesim të madh të investitorëve”.

Ndërkaq, të hënën zyrtarë të MEM-it, nuk ishin të gatshëm për t’u përgjigjur për detajet rreth konferencës.

Organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) më 20 dhe 21 janar në Prishtinë, u mbajt konferenca ndërkombëtare për shprehjen e interesit për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”. Investitorët kanë vizituar edhe termocentralin “Kosova B” dhe mihjen e Sibovcit.

Pas dështimit të përpjekjes së parë për ndërtimin e këtij kapaciteti prodhues me 2100 megavat energji elektrike, në muajin shkurt pritet të rishpallet tenderi për 1000 megavat.(lajm)