Ekspertët kryesorë italianë kanë thënë të hënën se vaksina për COVID-19 do të jetë akoma efektive pasi u zbulua një variant i ri, më infektiv i coronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kanë qenë tashmë variante në të kaluarën e afërt dhe mund të ketë të tjerë në të ardhmen”, ka thënë Francesco Vaia, drejtori shëndetësor në spitalin e sëmundjeve infektive Spallanzani të Romës, përcjell Telegrafi.
“… kjo nuk do të thotë që sëmundja është bërë më e keqe ose më vdekjeprurëse. Vaksina nuk është vënë në dyshim”.
Edhe Franco Locatelli, presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetit të Italisë (ISS), tha gjithashtu të hënën se mutacioni i virusit nuk duhet të ndikojë në efektivitetin e vaksinës kundër COVID-19.
Në këtë drejtim, shkruan ANSA, ekspertët në Spallanzani kanë filluar procedurën për të izoluar sekuencën e llojit të ri.
Analiza po bëhet në testet e kryera në një pasagjer i cili zbarkoi në aeroportin Fiumicino të Romës në një fluturim nga Londra të dielën dhe i cili doli pozitiv për coronavirusin.
Burime pranë Komisionerit të Urgjencave për Coronavirus, Domenico Arcuri, kanë theksuar se shfaqja e llojit të ri nuk do të ndikojë as në planin e vaksinimit ndaj COVID-19 të Italisë.
Fushata pritet të fillojë javën e ardhshme pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) miratoi të hënën vaksinën Pfizer-BioNTech për COVID-19. /Telegrafi/