Site icon Telegrafi

Ekspertët: Inspektimi i ndërtimeve në Maqedoni, i domosdoshëm

Pas çdo tërmeti në shtetet fqinje por edhe më gjerë, frika kaplon edhe qytetarët dhe institucionet në vend. Pyetja që përsëritet vazhdimisht është se sa ndërtimet në vendin tonë, janë rezistente ndaj dridhjeve sizmike të tokës. Institucionet, kalimthi cekin se duhet të inspektohet cilësia e objekteve, në mënyrë që nëse natyra vendos të na befasojë, të mos kemi dëme të mëdha materiale e aq më pak viktima në njerëz. Apele dhe propozime nga institucionet, ka, por hapa konkret nuk janë ndërmarr. Rreth dy muaj më parë nga Ministria për Transport dhe Lidhje thanë se tërmeti që goditi Shqipërinë obligon edhe Maqedoninë që të bëj inspektimin e cilësisë së objekteve në vend. Diçka e tillë ende nuk është bërë. Profesori universitar, Enis Jakupi, thotë se inspektimi i objekteve, veçanërisht i atyre pa leje të cilat më pas janë legalizuar, është jashtëzakonisht i nevojshëm.

“Sa i përket inspektimit, unë do të kisha thënë se është më se i nevojshëm dhe unë do të kisha thënë edhe obligativ, tek objektet që u legalizuan me një elaborat gjeodezik dhe i cili elaborat u keq interpretua dhe u keq menaxhua, për shkak se këto objekte u legalizuan si objekte të ndërtuara pa leje, por në aspekt të asaj se çfarë qëndrueshmërie dhe çfarë stabiliteti, nuk kemi të dhëna. Prandaj unë do të kisha thënë se kjo është më se e nevojshme për objektet që u legalizuan pa leje ndërtimi”, u shpreh Enis Jakupi, profesor universitar.

Profesori Universitar Mihail Garevski, thotë se në Maqedoni objektet janë kryesisht cilësore, sepse pas tërmetit që goditi Shkupin në vitin 1963, u tregua më shumë kujdes. Megjithatë, sipas tij, cilësia e ndërtimeve të bëra pas viteve ’90, në mesin e të cilave përmend edhe objektet e ndërtuara në atë që njihet si “Rruga e plastikave” në Shkup është e diskutueshme.

“Këto shërbime që ju i quani inspektime duhet të jenë të pranishëm në terren më së shumti përmes thirrjeve të qytetarëve. Kur këta të fundit të vërejnë se bëhet ndonjë ndërhyrje në ndonjë objekt, veçanërisht në përdhese, pasi në raste të tilla ka vërtet rrezik, sepse një objekt i cili është projektuar në mënyrë të përkryer për t’u bërë ballë dridhjeve sizmike, mundet shumë lehtë të përbëjë rrezik nëse hiqet ndonjë shtyllë mbajtëse. Këtu Komunat duhet të reagojnë dhe në raste të tilla edhe pse ndoshta kanë pak inspektorë, të dalin dhe të vendosin ndalesë”, deklaroi Mihail Garevski-sizmiolog.

Tërmetet e një nate më parë në Turqi por edhe pak kohë më parë në Shqipëri, përveç dëmeve të shumta materiale, morën edhe jetë njerëzish. Sizmologët thonë se“ “Tërmetet nuk vrasin njerëz. Ndërtesat po” duke apeluar deri tek institucionet që të jenë më vigjilente ndaj cilësisë së ndërtimeve./Alsat/

https://www.youtube.com/watch?v=XbJ1yZ11jis&feature=emb_title

Exit mobile version