Site icon Telegrafi

Ekspertët: Formatimi, asgjë nga ndryshimet e paralajmëruara

Ekspertët vlerësojnë se propozimet e kryeministrit Zoran Zaev në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, nuk plotësojnë pritjet e qytetarëve të shprehura përmes zgjedhjeve presidenciale. Sipas tyre, Zaev më tepër ka propozuar emra për plotësimin e vendeve boshe. Naser Ziberi vlerëson se ndryshimet nuk do të sjellin rezultat për faktin që periudha deri në përfundimin e mandatit të kësaj Qeverie është e shkurtër. Lidhur me vendimin që Zaev të ushtrojë detyrën e ministrit të Financave, Ziberi shton se me këtë kryeministri i garanton vetëm një vend në kabinetin Qeveritar gjatë periudhës së Qeverisë Teknike.

“Konstatimi im është se ndryshimet në Qeveri nuk u zhvilluan në frymën e paralajmërimeve se do të ketë një rikonstruim të tërësishëm dhe ndoshta kjo për dy shkaqe: shkaku i parë se Qeveria dhe shumica parlamentare nuk e morri datën për fillimin e negociatave, që do t’i mundësonte kryeministrit një hapësirë për ndryshime më radikale dhe e dyta koha e shkurtër në të cilën kjo Qeveri duhet të ushtroj mandatin e saj deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse i përmbahet Kodit Zgjedhor për Qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve, të mund ai ta lëshon postin e kryeministrit por të mbetet ministër i Financave dhe të mund t’i kontrollojë rrjedhat politike dhe ekonomike në Qeveri”, tha Naser Ziberi, ish-deputet.

Vlladimir Bozhinovski konstaton se Zaev nuk ka bërë rikonstruim por rotacion të resorëve. Sipas tij, BDI-ja ka dëshmuar mungesë të kapaciteteve reformuese, për faktin që sjell emrat e njëjtë për ministra nëpër resor të ndryshëm.

“Nga gjithë ajo që flitej, pamë se u akumulua në një rotacion të resorëve, plotësim të vendeve vakante dhe dyfishimin e pozitave ashtu siç bëri kryeministri. Nuk mund të themi se qytetarët kanë pritur më shumë sepse duke u thirrur në rezultatin zgjedhorë, dëshmohet se qytetarët nuk presin asgjë. Kjo vlen për edhe për BDI-në. A janë vetëm 5 shqiptar në të gjithë Maqedoninë të aftë për të qenë ministra? Ku janë kuadrot tjerë?”,theksoi Vlladimir Bozhinovski, profesor.

Ziberi dhe Bozhinovski vlerësojnë se përshtypjet nga rikonstruimi i ministrave nuk japin sinjale për ndryshime thelbësore në eshalonin e dytë dhe të tretë./Alsat/

Exit mobile version