Telegrafi

Ekspertët e vlerësojnë lart koncesionimin e ANP-së

Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Hoxha, koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës e sheh si hap të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.

“Ky është fillimi i një partneriteti publiko-privat, i cili do të shtrihet edhe në kompani të rëndësishme, si Postë dhe Telekomin e Kosovës dhe kompani të tjera”, ka theksuar Hoxha.

Sipas tij, koncesionimi është në dobi të dy palëve, kompanisë që e ka fituar, por edhe Qeverisë së Kosovës, pasi kompania fituese është e obliguar që në të ardhmen t’i zgjerojë kapacitetet e aeroportit nëpërmjet investimit në të.

“Zgjerimi i kapaciteteve, rregullimi i infrastrukturës natyrisht se do t’i rrisë mundësitë dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve ndaj aviokompanive dhe pasagjerëve, gjithashtu do të përfitojë buxheti i Kosovës nga një përqindje e caktuar e fitimit”, ka thënë ai.

Eksperti Hoxha dhënien me koncesion për 20 vjet të ANP-së nuk e sheh vetëm si kontribuues në modernizimin e tij, pastaj rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve të Kosovës, por edhe një dëshmi se Kosova po përgatitet që të thithë investime të huaja, që kalojnë shumën e milionave.

“Në përgjithësi oferta mund të vlerësohet e favorshme për buxhetin e Kosovës dhe dhënia e 40 për qind e fitimit bruto Qeverisë së Kosovës do t’i rrisë të hyrat e buxhetit të Kosovës”, ka theksuar ai.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Labinot Lekaj, ka thënë se koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës është lajm mjaft i mirë për Kosovën.

“Procesi dhe shpallja e fituesit ka qenë një ndër proceset më transparente të zhvilluara deri më tani.

Kompania fituese është zotuar se do të investojë rreth 100 milionë euro”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se zotimi i kompanisë për të mos e larguar asnjë të punësuar, është element pozitiv në këtë proces.

“Shuma prej 100 milionë eurosh do ta modernizojë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe do ta bëjë një aeroport konkurrues në rajon dhe Kosovën më atraktive për investime”, ka deklaruar ai.

Konsorciumi francezo-turk “Limak-Aerport de Lyon” do të jetë për 20 vjet koncensionar i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP). “Limak-Aerport de Lyon” i është dhënë kontrata për arsye se i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39. 42 për qind të të hyrave bruto në këmbim të të drejtave të koncesionit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është një nga aeroportet më të ngarkuara me punë në Ballkan. Vitin e kaluar u ka shërbyer mbi 1. 2 milion pasagjerëve. Në vitet e fundit ANP ka shënuar shkallë të rritjes mbi mesataren në trafikun e pasagjerëve, por kapacitetet e tij nuk po rriten mjaft shpejt për t’i përmbushur këto nevoja.(epoka)