Site icon Telegrafi

Ekspertët e sigurisë: Rusët nesër mund të bëjnë grushtet në Beograd

Duke u thirrur në burime diplomatike nga Beogradi, KosovaPress dje ka raportuar se me qëllim të ndikimit në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, njëri nga shërbimet sekrete ruse, përkatësisht Shërbimi i Jashtëm i Rusisë (SVR) ka dërguar tashmë në Beograd specialistin e saj për manipulimin e zgjedhjeve Andrey Alfredovich Val.

Lidhur me këtë, ekspertë të sigurisë, janë dakorduar se dita e nesërme e zgjedhjeve parlamentare në Beograd, mund të ngjasojë në Podgoricën e vitit 2016, kur u tentua atentati në Milo Gjukanoviqin, i organizuar nga shërbimet sekrete ruse.

Kështu, eksperti i sigurisë, Agim Musliu thotë se në Serbi ka një ndjenjë të fortë rusofile.

“Në Serbi ka ndjenjë të fortë rusofile dhe njerëz që kanë histori të përbashkët luftërash, si në ish-Jugosllavi ashtu edhe Ukrainë e tashmë edhe në Libi”, thotë ai.

Ndërsa, sipas ekspertit Nuredin Ibishi, mjafton që të parandalohet ndonjë përparim serb drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Perëndimin dhe përkushtimit të tyre për ta qartësuar rrugën euroatlantike.

“Prania e një operativi të inteligjencës ruse këto ditë në Serbi, si ky i Andrey Alfredovich Val, i cili është dëbuar nga SHBA mu për shkak të interferimit në zgjedhjet amerikane, do të thotë se Kremlini nëse s’mund t’i ndikojë zgjedhjet në Serbi sipas interesit të tij, mund të pasojë Podgorica 2016”, thotë Ibishi.

Operativi rus i inteligjencës është pjesë e Drejtorisë MS (Meropriyatiye Sodeystviye) të SVR-së, e cila merret me ndërhyrje në proceset zgjedhore, në shtetet jashtë Federatës Ruse.

Musliu thekson se në rast se rusët kanë vërejtur se, Vuçiqi ka gatishmëri që ta përmbyllë konfliktin me Kosovën dhe në Uashington të dakordohet për këtë, atëherë operativi i inteligjencës gjendet në Beograd për këtë arsye.

“Një gjë është e sigurt se, Kremlini e favorizon më shumë Daçiqin. Kjo u dëshmua së fundmi edhe me Deklaratën e përbashkët me Lavrovin që e lëshuan nga Beogradi. Aty flitet për pafuqinë ruse dhe shprehjen e mllefit për lëvizjet progresive me SHBA-në dhe shenjat e vogla për finalizimin e problemit me Kosovën”, shprehet ai.

Në fund të vitit 2019, në Serbi plasi skandali i spiunazhit i quajtur “Kleban”, ku zyrtari i inteligjencës ruse shihej në videoregjistrim duke marrë informacione të fshehta nga një serb, që dyshohej se ishte pjesë e strukturave të sigurisë serbe.

Për këtë kumboi fjala “PSE” e presidentit serb drejtuar Moskës, në konferencën për shtyp të Vuçiqit për këtë skandal spiunazhi në Serbi. /kp/Telegrafi/

 

Exit mobile version