Telegrafi

Ekspertët e sigurisë: Kosova në NATO, të jetë ofruese e sigurisë e jo absorbuese e saj

Për qëllime elektorale Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë  shtypi në Beograd së bashku Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se vetëm serbët e Kosovës janë të rrezikuar. Ndërkohë që si kundërpërgjigjeve ndaj Soltenbergut për pozicionimin e trupave ushtarake serbe në kufi me Kosovën, Vuçiq theksoi se Serbia vendos vetë ku do ta pozicionojë ushtrinë e saj.

Deklaratat e Vuçiqit i kanë komentuar njohësit e rrethanave të sigurisë në Kosovë.

Ish –gjenerali i FSK-së, Xhavit  Gashi tha se deklarata e presidentit serb, në prani të shefit të NATO-s është jo diplomatike.

Sipas tij, Vuçiq këtë e ka bërë për shkak të elektoratit të vet, sepse pas pak kohësh atje do të mbahen zgjedhjet.

Lexo po ashtu Vuçiq, NATO-s: Nuk marrim urdhra nga askush, është punë e jona ku e vendosim ushtrinë

Gashi më tej tha se Kosova duhet të përqendrohet të bëjë përpjekje për t’u anëtarësuar në NATO, që të jetë ofruese e sigurisë e jo absorbuese e saj.

Duke komentuar deklaratat e Vuçiqit, eksperti i çështjeve te sigurisë, Nuredin Ibishi vuri në pah se Serbia është anëtare në Partneritet për Paqe në kuadër të NATO-s dhe që kjo organizatë e ka përcaktuar zonën e sigurisë.

Lexo po ashtu Siguria në Kosovë, sulmi në Banjskë e marrëveshja e 2013-së me NATO-n, deklaratat e Stoltenbergut, Osmanit e Kurtit pas takimit në Prishtinë

“Vuçiqi e pati pezmin ndaj lidershipit kosovar që po iu drejtohet NATO-s për çështjen e sigurisë. Adresimi i tij është që ky mandat t’i orientohet KFOR-it dhe bashkëpunimin me të, duke injoruar segmentet tjera të sigurisë së Kosovës”, deklaroi Ibishi në ‘RTK Prime’.

Ndërsa, gjenerali Gashi ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Kurti për çështjen e sigurisë në vend, i cili pati deklaruar se në Rashkë të Serbisë, nën përkujdesjen e Radojçiqit, sërish po bëhen përgatitje për të intervenuar në veri të Kosovës.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka informacione më të hollësishëm për sigurinë në vend.

“Atë informacion që ka ndarë më publikun, si një kërcënim i sigurisë në vend ka qenë informacion mjaftë serioz”, deklaroi Gashi,  derisa theksoi se ato informacione i ka ndarë edhe me aleatët.

Gashi më tej shtoi se një takim i tillë në Rashkë nuk ishte një befasi.

Sipas tij, lënia në liri e Radoiçiqit ka pasur një arsye të tillë që ai të takohet me ata njerëz.

Ndërkaq, Ibishi foli për metodën e përpunimit të informacioneve nga shërbimet inteligjente dhe dërgimi i tyre të ekzekutivi.

“Të gjitha shërbimet inteligjente dhe këmbimet e informacionit që vijnë nga institucioneve të sigurisë nga ana e ndërkombëtarëve dhe dërgohen te ekzekutivi dhe me çfarë informate del kryeministri dhe në çfarë formati del dhe plason në publik është një çështje e veçantë”, deklaroi Ibishi.

Sipas tij, kjo vije në një situatë kur për vizitë ishte shefi i NATO-s në vendet e rajonit për të diskutuar për rreziqet që po vijnë direkt nga Rusia.