Telegrafi

Ekspertët e rrjeteve sociale flasin për efektin e kampanjave të subjekteve politike në mediat online

Ekspertët e rrjeteve sociale kanë diskutuar në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini për përdorimin e rrjeteve sociale në fushatën zgjedhore të këtij viti.

Dardan Hasku ka thënë se asnjëherë më parë se në këto zgjedhje nuk ka pasur interesim nga ana e subjekteve politike për të investuar para në promovimin e tyre në rrjetet sociale.

“Kjo tregon se Kosova është në hap me shtetet e botës në përdorimin e rrjeteve sociale”, tha Hasku.

Kujtim Zebica ka thënë se fushatat online edhe në të kaluarën kanë ekzistuar në Kosovë por në këto zgjedhje sipas tij ka qenë kulmi.

Ai thotë se fushata online jo që është më e lirë por është shumë më e lehtë të bëhet nga ana e subjekteve politike apo kandidatëve të përfshirë në këtë fushatë.

“Partitë politike e kanë kuptuar që audienca është online dhe përdorimi i internetit është më i larti në Ballkan dhe madje krahasohet edhe me vendet e Evropës”.

Sipas Zebicës, fushata online e ka rritur mundësinë për subjektet politike të komunikojnë me elektoratin duke shpërndarë materialet e tyre me shumë pak mund për dallim nga e kaluara.

“Në të kaluarën është dashur të ftohen mediat e shumë peripeci tjera”, tha mes tjerash Kujtim Zebica.

Valon Canhasi thotë se fushata e dendur në rrjete sociale mund t’iu ketë kushtuar disa partive apo kandidatëve pasi ka pasur shumë raportime të përmbajtjeve të tyre duke i konsideruar si “Fake News”.

“Algorimi është ushqyer me përmbajtje negative në këtë rast”.

Canhasi thotë se partitë nuk kanë pasur ndonjë strategji në organizimin e fushatës në rrjete sociale.

Egzon Bunjaku, thotë se përgjithësisht subjektet politike kanë pasur kampanja të mira në rrjete sociale dhe portale e televizione.

Ai ka thënë se është mirë që subjektet politike të promovojnë veten dhe punën  e tyre edhe gjatë kohës kur nuk ka zgjedhje pasi sipas tij aktiviteti i shumë prej tyre ekziston vetëm gjatë fushatave zgjedhore./Telegrafi/