Site icon Telegrafi

Ekspertët e çështjeve juridike thonë se qëllimi i aktakuzës do të mësohet brenda gjashtë muajve

Selia e Gjykatës Speciale

Ekspertët e çështjeve juridike vlerësojnë se prokurori i Dhomave të Specializuara ka gabuar kur ka publikuar aktakuzat për Thaçin e Veselin. Ata mendojnë se këto aktakuza mund të jenë politike.

Të shtunën e 27 qershorit presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti e kishin planifikuar ta kalojnë në Uashington për të biseduar me delegacionin serb, por planet ua prishi një aktakuzë e publikuar nga Gjykata Speciale.

Avokati Tahir Rrecaj që mbron disa persona të akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale e konsideron politike publikimin e aktakuzës në këtë kohë.

“Për nga natyre dëshirojë të kem qasje profesionale dhe nuk dëshiroj t’i politizojë gjërat por rasti konkret po del të jetë puro politikë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Tahir Rrecaj, përcell Telegrafi.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se brenda gjashtë muajve do të mësohen arsyet pse u publikua aktakuza në këtë kohë.

“Unë besoj se i gjithë ky spektakël do të zbardhet brenda gjashtë muajve se cila ka qenë arsyeja pse këto veprime janë ndërmarrë në këtë kohë. Prokuroria i ka ndryshuar rregullat e lojës në mes të rrugës përderisa për rastet tjera nuk janë publikuar fare emrat”, deklaroi Ehat Miftaraj.

Sipas avokatit Rrecaj, publikimi i aktakuzës para konfirmimit të saj ka qenë një gabim flagrant.

“Aktakuza publikohet vetëm pas konfirmimit të saj dhe konfirmimin e bën gjyqtari i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara”, shtoi më tej Tahir Rrecaj./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version