Telegrafi

Ekspertët: Ballkani, në rrezik kolapsi financiar

Ashtu si vendet e Baltikut, të cilat janë kthyer në makth për Suedinë, edhe vendet e Ballkanit mund të kthehen në makth për Greqinë, Italinë e Austrinë. Të gjitha këto vende kanë deficite shumë të larta të llogarisë korrente (hyrje-daljet valutore), gjë që kërkon domosdoshmërisht korrigjim, pra ulje të konsumit të mallrave dhe shërbimeve, gjë që mund të rezultojë e dhimbshme për një pjesë të madhe të popullatës.

Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë arriti në rreth 17 për qind të PBB-së vitin e kaluar, gjë që nënkupton se vendi ynë ka nevojë të kursejë disa qindra milionë euro për të shmangur zhvlerësimin e lekut dhe destabilitetin financiar. Deficiti i Llogarisë Korrente të Bullgarisë arriti në 25 për qind vitin e kaluar. Kombinimi i deficitit me rënien e prodhimit mund të prodhojë pasoja katastrofike.

Samir Patel nga grupi kërkimor Researxh2 thotë se Serbia, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja kanë të gjitha nevojë për "kapitale të shumta për të shpëtuar", në mënyrë që të ruajnë sistemet e tyre. "Europa Jugore është shumë e rrezikuar nga kriza", – tha ai.

Ekspertët besojnë se dominimi i tregut të kreditimit nga euro është fenomeni më shpërthyes, sepse ka shumë gjasa që një ditë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre kredive të mos mund të paguhen, duke sjellë pasoja të ngjashme me krizën e Argjentinës në vitin 2001. /Gazeta shqip/