Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) në SHBA autorizoi të dielën përdorimin urgjent të plazmës së gjakut nga njerëzit që janë shëruar nga coronavirusi për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin vdekjeprurës.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, komisioneri i FDA-së, Stephen Hahn, deklaroi se studimet e kryera këtë vit treguan se trajtimi ishte i sigurt dhe se ka gjasa që të jetë i dobishëm, ai shtoi se agjencia do të vazhdojë të punojë mbi këtë çështje.
Ndërkohë Peter Mark, drejtori i qendrës së FDA-së për biologji, vlerësim dhe hulumtim, tha se më shumë se 70 mijë pacientë tashmë janë trajtuar me këtë metodë, të cilët ishin pjesë e programit të zgjeruar të agjencisë.
“Plazma mund të përmirësojë rezultatet dhe të zvogëlojë vdekshmërinë”, u shpreh Mark.
“Ne jemi të sigurt se plazma e ndonjë pacienti të shëruar nga coronavirusi është e sigurt për t’u përdorur në këtë mjedis”, deklaroi ai.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump, i cili e quajti këtë trajtim si një hap historik.
“Jam i kënaqur t’ju njoftoj se ky trajtim do të shpëtojë jetë të panumërta”, u shpreh Trump. /Telegrafi/