Site icon Telegrafi

Ekspertët amerikanë këmbëngulin se Serbia duhet ta njohë Kosovën

Një përmbledhje e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ndërmjetësuar nga BE-ja nga ekspertët e Universitetit i Kolumbisë rekomandon që Brukseli dhe Uashingtoni të ndërmarrin veprime për të zbatuar të gjitha marrëveshjet, dhe këmbëngulin se Serbia duhet ta njohë Kosovën.

Në raportin e ri të publikuar të martën me titull “Vlerësimi i Zbatimit të Dialogut Kosovë-Serbi” thuhet se ndërmjetësuesit duhet të marrin një qëndrim më të ashpër në dialogun në vazhdim midis Beogradit dhe Prishtinës dhe këmbëngulin se Serbia do të duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Raporti, i botuar nga Programi për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbisë, sugjeron një afat prej 18 muajsh për të përfunduar negociatat.

Aty thuhet se “nëse ndonjëra palë pengon, BE duhet të pezullojë ndërmjetësimin e saj dhe të ngrijë fondet e BE-së”.

Për momentin, dialogu ndërmjetësohet butësisht nga BE, ndërsa temat e negociatave janë propozuar nga autoritetet serbe dhe kosovare pa afate të qarta dhe dënime për moszbatim.

Raporti argumenton se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të arrihet paqja e qëndrueshme, pasi njohja do të ishte gurthemeli i një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai rekomandon që negociatat e Serbisë për tu bërë anëtare e BE-së duhet të lidhen me përparimin në dialogun Kosovë-Serbi.

“Megjithëse Kosova është njohur nga 114 vende, Serbia vazhdon të bllokojë përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje më të madhe globale”, tha në një deklaratë David L. Phillips, autori i raportit.

“Është koha për rezultate të matshme. Jo më shumë mundësi për foto”, shtoi ai.

Raporti thotë se normalizimi i marrëdhënieve do të përfshinte anëtarësimin e Kosovës në OKB, ndërsa paralelisht, Kosova dhe Serbia do të punonin në kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke hyrë në BE në të njëjtën kohë.

Dialogu Kosovë-Serbi, që përfshinte çështjet teknike dhe politike, u lançua nga BE në vitin 2011 në Bruksel.

Edhe pse të dyja palët janë zotuar të zbatojnë ato për të cilat është rënë dakord deri tani, shumë prej marrëveshjeve mbeten në letër.

Çështjet kryesore që të dy palët kanë rënë dakord për të zgjidhur janë liria e lëvizjes, telekomunikacioni, statusi i veriut të Kosovës me shumicë serbe, doganat, policia dhe gjyqësori.

 

Megjithatë, shumë çështje të tjera që rëndojnë marrëdhëniet Beograd-Prishtinë ende nuk janë pjesë e dialogut.

Raporti i Universitetit të Kolumbisë sugjeron që çështjet kritike që duhet të adresohen përfshijnë personat e pagjetur, kompensimin për viktimat e luftës, integrimin e pakicës serbe të Kosovës dhe çështjet e sigurisë duke përfshirë krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Më tej sugjeron që Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, duhet të zvogëlohet dhe përfundimisht të eliminohet, pasi ai është bërë pengesë për dialogun dhe pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë. /Kallxo.com/

Exit mobile version