Site icon Telegrafi

Ekspertët e Institutit ‘American Enterprise’ akuzojnë BE për dështim të dialogut të udhëhequr nga SHBA

Ekspertët e Institutit “American Enterprise”, Dalibor Rohac dhe Ivana Stradner, në një opinion të publikuar në ‘National Review’ kanë akuzuar Bashkimin Evropian se i ka vënë ndërkëmbëzën samitit Kosovë-Serbi të udhëhequr nga SHBA.

Ata kanë shkruar se progresi në rajon, qoftë ai i marrëveshjes së Dejtonit, përfundimi i luftës në Kosovë apo ruajtja e sigurisë së saj ka ardhur në vetëm nga bashkëpunimi midis SHBA dhe BE-së, dhe jo nga njëra palë, duke i vënë ndërkëmbëzën tjetrit.

“SHBA dhe BE ndajnë të njëjtat objektiva themelore në Ballkanin Perëndimor: që rajoni të jetë paqësor, demokratik dhe ekonomikisht i suksesshëm, i bazuar në sundimin e ligjit dhe jo një shesh lojërash për fuqitë revizioniste si Kina dhe Rusia. Kush do t’i marrë lëvdatat për zhbllokimin e gjendjes aktuale gjatë periudhës së shkurtër kohore të dhënë nga zgjedhjet e fundit në Serbi, duhet të jetë shumë më pak e rëndësishme. Të shohësh BE të bëjë përtej të zakonshmes për të ruajtur gjendjen e tanishme nga frika e marrjes së lëvdatave nga dikush tjetër për përparimin e arritur eventual është zhgënjyese – dhe pozitivisht Trumpiane”, la thënë Rohac dhe Stradner.

Për më tepër, ata shkruajnë se kur bëhet fjalë për diplomacinë, presidenti amerikan Donald Trump sipas kritikuesve të tij, ka shprehi që t’i rrisë vlerën paraqitjes e jo thelbit, ka mungesë takti ndaj aleatëve dhe shumë shpesh e vë në dukje egon e tij shpejt të lëndueshme.

Rreth Samitit Kosovë-Serbi gjatë javës që kaloi, të gjitha këto dobësi karakteri u shfaqen publikisht nga BE. Kur fillimisht u bë i ditur lajmi për një samit të Shtëpisë së Bardhë midis liderëve të Serbisë dhe të Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, shumica e vëzhguesve të Ballkanit u çuditën. Reagimi nga Evropa ishte tërësisht i acartë. “Një marrëveshje e mirë do t’i afronte Kosovën dhe Serbinë me BE dhe nuk besoj se një marrëveshje e tillë mund të arrihet pa praninë e BE-së atje”, tha emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Përjashtimi i BE-së nga takimi ishte me të vërtetë një veprim i pacipë. Nuk ndihmoi as fakti që i dërguari i Trump, Richard Grenell, prezantohet si një figurë e qartë jo-diplomatike. Gjatë dy viteve si ambasador në Gjermani, ai tjetërsoi pjesën më të madhe të klasës politike të vendit. Kur samiti po përgatitej, ai i fyente kritikët e tij në Twitter: “Ju nuk e dini se për çfarë po flisni. Por jeni shumë të sigurt që po e dini. Tipike!”

Nëse e lëmë teatralitetin mënjanë, iniciativa e Grenell ka meritë. Që nga marrëveshja kryesisht aspiruese e Brukselit (2013), e cila e zotoi Kosovën dhe Serbinë për një “normalizim” gradual të marrëdhënieve të tyre, BE-ja ka shumë pak për të treguar për angazhimin e saj gjatë viteve në rajon. Një rifillim i drejtuar nga SHBA i bisedimeve të organizuara rreth çështjeve të integrimit ekonomik, me karotën shtesë të siguruar nga investimet e ardhshme të SHBA mund të ketë qenë joefektive, por nuk ishte i gabuar, thonë ekspertët e institutit “American Enterprise”, Dalibor Rohac dhe Ivana Stradner./tch/

Exit mobile version