Telegrafi

Ekspertë nga bota operuan në QKUK pacientë me ndërlikime shëndetësore

Prof. Dr. Shakeel Qureshi, kardiopediatri më i njohur në botë në lëmin e kardiologjisë pediatrike intervente, i asistuar edhe nga ekipi i mjekëve vendorë, gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, ka kryer një numër të madh të kontrolleve kardiopediatrike tek fëmijët me probleme në zemër.

Po ashtu, Dr. Careen Wan Dorm, kardiokirurge nga Londra, Shef e shërbimit të kardiokirurgjisë në Londër, bashkë me Dr. Bekim Dulën, shef i Shërbimi të kardiokirurgjisë, stafi i anesteziologëve, specializantët dhe ekipin e stafit të mesëm, dje kanë operuar 2 fëmijë me probleme në zemër, sot kanë kryer po ashtu 2 operacione, përderisa intervenime pritet të kryhen edhe nesër në mëngjes.
Prof.dr. Roberto Brusati nga Qendra Klinike dhe Universiteti i Milanos në Itali , i shoqëruar nga stafi vendas, nga dje, ka kryer 4 operacione të komplikuara tek pacientët me deformime kongjenitale në lëmin e kirurgjisë maksilofaciale. Deri në fundjavë do të kryhen edhe 5 operacione të tjera të po kësaj natyre.

Prof. Brusatu vjen në Kosovë për të shtatën herë, për të ndihmuar pacientët që kanë probleme të rënda kongjenitale në lëmin e kirurgjisë maksilofaciale.