FBAK do të organizojë një ecje shtatëditore në trekufirin Kosovë, Mal i Zi, Shqipëri prej 1 deri 7 korrik. Kjo ngjarje do të mbledhë bjeshkatarë nga e tërë bota dhe tashmë është publikuar dhe reklamohet në ueb faqen e UIAA-së.
Ftesa e bjeshkatarëve nga e tërë bota bëhet përmes rrjetit të federatës ndërkombëtare. Shoqatat anëtare kanë marrë ftesat dhe ato do t’ua shpërndajnë anëtarëve (klubeve) të tyre, gjë e cila do të sigurojë pjesëmarrje të madhe ndërkombëtare. Ekspedita përveç majës Jezercë (2694m) do të përfshijë edhe vizitën në bjeshkët e Rugovës, Plavë e Guci, si dhe vendet si Thethi dhe Valbona në Shqipëri.
“Ne konsiderojmë se ky aktivitet do të ketë shumë efekte si për bjeshkatarinë ashtu edhe për Kosovën. Kjo ngjarje do të përmirësojë imazhin e Kosovës dhe rajonit; do të reklamojë bukuritë natyrore të bjeshkëve të Nemuna dhe do të promovojë Kosovën si vendin më atraktiv për t’u futur në këtë trekëndësh”, ka thënë Arben Lila kryetar i Federatës së Bjeshkatarëve Alpinistë të Kosovës (FBAKU).
“Federata është duke u përqendruar në organizimin e ngjarjeve që do të sjellin vizitorë në Kosovë. Mirëpo nuk do lëmë anash as përpjekjet që të kemi një ekip në majat më të larta të botës”, ka shtuar Lila.
Ekspedita ndërkombëtare do të fillojë nga 1 korriku dhe do të vazhdojë deri më 7 korrik. FBAK-u pret që të ketë rreth 150 pjesëmarrës në këtë aktivitet.