Kombëtarja e Suedisë ka arritur në Kosovë në mesditën e sotme (e shtunë) para takimit të nesërm (e diel) ndaj Përfaqësueses së Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kupës e Botës “Katar 2022”.
Në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ekspeditën suedeze të udhëhequr nga presidenti i Federatës së Futbollit të Suedisë, Karl-Erik Nilsson, që njëherësh është edhe zëvendës-president i UEFA-s, e ka pritur kryetari i FFK-së Agim Ademi.
Me këtë rast, ai i shprehu mirëseardhje homologut të tij dhe qëndrim të këndshëm në Kosovë, teksa e shoqëroi atë edhe në hotel “Sheraton”, aty ku është akomoduar Kombëtarja e Suedisë.
Dyshja e drejtuesve të federatave përkatëse më pas thuhet se së bashku do të vizitojnë edhe Kampin Nacional Edukativ në Hajvali të Prishtinës.
Kombëtarja suedeze sot në orën 17:30 do të zhvillojë seancën stërvitore në “Fadil Vokrri”, derisa të dielën në orën 20:45 do të luajë kundër Dardanëve tanë, në ndeshjen kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”. /Telegrafi/