Telegrafi

Eksodi i nxënësve në Maqedoni, për 5 vite janë mbyllur 45 shkolla

Për shkak të eksodit katastrofik me të cilin po përballet Maqedonia e Veriut, autoritetet po mendojnë futjen e mësimit me një ndërrim, megjithëse një risi e tillë është praktikisht e pamundur, për faktin se ka shkolla ku madje mësimi mbahet në tre ndërrime turne.

Puna me një ndërrim nuk do të thotë që nxënësit do të kenë leksione për tetë orë, pasi të dëgjojnë mësimin e planifikuar, ata do të shkruajnë detyrat e shtëpisë dhe nuk do t’i marrin fletoret dhe librat në shtëpi, shkruan gazeta Koha.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, është e mendimit se me këtë do të zgjidhet problemi i 3000 mësimdhënësve që aktualisht janë tepricë në procesin arsimor, ndërsa nga hartografitë e mëparshme të MASH-it, është konstatuar se në disa qytete të brendshme të vendit ka kushte më të mëdha për realizimin e mësimit me një ndërrim.

“Disa shkolla mund ta bëjnë edhe tani, por ka shkolla që punojnë me dy ose tre ndërrime. Aktualisht, MASH është duke bërë një analizë pas së cilës do të kërkojmë që ato shkolla ku ka kushte të punojnë me një ndërrim. Kjo është domethënëse jo vetëm sepse është më e natyrshme që nxënësit të vijnë në mësim të pushuar, por edhe mundëson qëndrim më të gjatë të nxënësve në shkollë dhe realizimin e shumë aktiviteteve shtesë të kurrikulare jashtëshkollore”, thotë Janevska, duke shtuar se kjo praktikë është dëshmuar të jetë e dobishme në mbarë botën.

“Në marrëveshje me Byronë e Zhvillimit të Arsimit, e cila ka hartuar kurrikulat për lëndët e shumta me zgjedhje, ato do t’u ofrohen shkollave”, theksoi ajo. Problemi më i madh është në Shkup ku do të ndërtoheshin objekte shtesë për të vendosur këtë mënyrë të mësimdhënies. Ndryshe, në vetëm pesë vite, 45 shkolla i kanë mbyllur dyert./Koha.mk/