Site icon Telegrafi

Ekskluzive/ Enis Bardhi: Më shkoi mendja të luaj për Kosovën, krenar që më krahasojnë me Beckhamin – Te Maqedonia për t’i prezantuar sa më mirë shqiptarët

Tre gola në katër ndeshjet e para në La Liga nuk janë pak për një mesfushor.

Një yll shqiptar po shkëlqen në elitën e futbollit spanjoll, e ai është Enis Bardhi, talenti nga Shkupi që po i bën krenar me paraqitjet e tija miliona shqiptarë anë e mbanë botës.

22-vjeçari gjatë kësaj vere ka bërë hapin e madh në karrierë ku pas shkëlqimit me Ujpestin në Hungari iu bashkua skuadrës së njohur spanjolle, Levante.

Levante pagoi 1,5 milionë euro, por në katër ndeshjet e para Bardhi ka treguar se i ka merituar ato para deri në centin e fundit falë paraqitjeve brilante në La Liga.

Falë golave të tij spektakolar, Bardhi ka treguar se meriton edhe më shumë dhe nëse një ditë do ta shohim në fanellën e një gjiganti evropian, atëherë nuk duhet të befasohemi.

Enis Bardhi duke iu gëzuar golit të shënuar ndaj Deportivo La Corunas

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, shkupjani ka folur rreth fillimit të karrierës së tij në Spanjë, krahasimin me legjendën angleze David Beckham, Përfaqësuesen e Kosovës dhe të ardhmen e tij.

“Jam shumë i lumtur me paraqitjet e mija dhe të ekipit këto ndeshjet e fundit. Gjithashtu edhe me golat e shënuar që gjithmonë tentoj ta ndihmojë skuadrën”, deklaroi fillimisht Bardhi për Telegrafin.

Djaloshi i artë nga Shkupi po cilësohet si një David Beckham i ri nga tifozët e futbollit falë gjuajtjeve të lira që po i ekzekuton në mënyrë perfekte.

“Të krahasohesh me lojtarë si Beckham është kënaqësi dhe motivim i madh për mua. Duhet edhe shumë punë që të arrijë nivelet e anglezit, por këto krahasime më kënaqin”, vazhdoi tutje Bardhi.

Bardhi sa ishte pjesë e skuadrës hungareze Ujpest

Me transferimin në La Liga, Bardhi ka realizuar një ëndërr të madhe dhe është i fokusuar vetëm tek Levante duke mos menduar shumë për të ardhmen.

“Aktualisht dua të koncentrohem këtu dhe të jap maksimumin në çdo ndeshje. Ëndrra ime ka qenë La Liga dhe jam i lumtur këtu”.

Deri më tani Levante nuk ka pësuar ende humbje në La Liga, duke shënuar dy fitore dhe duke marrë tri barazime.

“Është një ndjenjë e mirë të mos pësosh humbje në një nga kampionatet më të forta në botë. Do të mundohemi me lojë të disiplinuar të vazhdojmë t’i radhisim sukseset edhe pse kampionati është i gjatë dhe aspak i lehtë”, tha Bardhi që foli edhe për objektivat e klubit, por edhe personale.

“Synimet tona janë që të mbesim në La Liga dhe shpresojmë që të arrijmë një gjë të tillë. Sa i përket synimeve personale është që të shënojë sa më shumë gola, të përparojë dhe të rritem si lojtar për t’i arritur objektivat e ekipit”, tha Bardhi.

Bardhi në një ndeshje miqësore me fanellën e Levantes

22-vjeçari kishte thënë më parë se dëshironte të luante për Kombëtaren shqiptare, por drejtuesit e FSHF-së, kishin heshtur. Por në pyetjen tonë se a e ka menduar ta veshë fanellën e Kosovës, ai tregon se i kishte shkuar në mendje një gjë e tillë.

“Në momentin që u pranua Përfaqësuesja e Kosovës të jetë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s jam gëzuar shumë. Normalisht më ka shkuar në mendje të luaj për Kosovën pasi gjysma e familjes time jeton atje, por tani kjo gjë ka mbaruar. Jam në Përfaqësuesen e Maqedonisë dhe ndjehem mirë, pasi do të mundohem gjithmonë të jem shembull i mirë për t’i përfaqësuar sa më mirë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni”, u shpreh super talenti shqiptar.

22-vjeçari ka zhvilluar gjashtë paraqitje me ekipin A të Maqedonisë

Në fund ylli i ri nga Shkupi nuk përmend numër të golave se sa do t’i shënoj, pasi për të më me rëndësi është shëndeti.

“Nuk mund të them se sa gola do të shënoj deri në fund, vetëm shpresoj që të kem shëndet dhe të jap gjithçka nga vetja, sukseset do të vijnë padyshim”, u shpreh Bardhi.

Bardhi ka kontratë me skuadrën e Levantes deri në qershor të vitit 2020, por siç po luan në këtë fillim të kampionatit, ai pritet të ketë oferta të rëndësishme nga klubet e mëdha evropiane.

Kujtojmë që Bardhi është nën menaxhimin e ish-futbollistit të njohur shqiptar nga Maqedonia, Meriton Berisha i cili ka bërë karrierë edhe në futbollin e Kosovës duke veshur fanellën e Dritës.

Përveç Levantes dhe Ujpestit, Bardhi ka bërë karrierë edhe në Suedi me skuadrës Prespa Birlik si dhe ka qenë pjesë e Brondby U19 ku ishte transferuar nga Shkupi.

E ardhmja është e ndritur për Bardhin, gjithçka çka i duhet është të vazhdoj të punoj me këtë seriozitet në stërvitje dhe të dhuroj spektakël të njëjtë në fushë. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=2tdUiEE0Qow

 

Exit mobile version