Ditën e enjte, drejtori gjeneral i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, njoftoi se është duke biseduar me Jonesin për ta kthyer në Kosovë, mirëpo ai po e fshihte të vërtetën, pasi me amerikanin kishin nënshkruar qysh të dielën e kaluar.
Redaksia jonë ka kontaktuar Jonesin në Amerikë, i cili e ka konfirmuar vetë lajmin. “Aktualisht jam në aeroport dhe po bëhem gati për t’u nisur në Kosovë. Unë kam nënshkruar me Sigalin të dielën”, ka thënë Jones për Telegrafin.
Ai më tej tha se ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me bardhekaltërit dhe se ndihet i entuziazmuar për rikthimin e tij në Kosovë.
Jones ishte lider i RTV 21-shit, skuadër kjo e cila me kontributin e madh të amerikanit, siguroi vendin e katërt në tabelë për t’u kualifikuar në playoff. Ai gjithashtu e fitoi çmimin e lojtarit më të mirë për muajin prill në BKT Superligën e Kosovës dhe gjithashtu shkëlqeu në cdo ndeshje që zhvilloi në palestrat kosovare.
Në njërën anë me Kendrick Jones dhe në anën tjetër me Dardan Berishën, Sigal Prishtinës, më mirë të mos i dalë ndonjë skuadër përpara. /Telegrafi/