Dueli u zhvillua në St. Gallen të Zvicrës të shtunën mbrëma, ku portali Telegrafi ishte i pranishëm për ta përcjellë këtë duel të boksierit nga Presheva.
Meçi filloi në ora 22:15, me boksierët të cilët hynë në ring. Ishte algjeriani ai që premtoi se do ta nokautonte boksierin shqiptar, mirëpo Sevdaili i tregoi Raadit se nuk është kërkah dhe qëndron larg deklaratave të tij.
Në po këtë mbrëmje zhvillohej finalja e madhe në futboll mes Barcelonës dhe Manchester Unitedit dhe përkundër këtij fakti, bashkatdhetarë të shumtë ishin mbledhur në palestër për ta përcjellur duelin.
Gjatë gjithë duelit dominoi Sevdail Sherifi duke e grushtuar disa herë fortë algjerianin, i cili me përvojën e tij arriti t’u përballojë sulmeve pa pësuar ndonjë deklasim. Dueli përfundoi pa fitues në kohën e rregullt dhe në fund është dashur që të vendosin gjyqtarët, të cilët e shpallën kampion evropian në kategorinë gjysmë të rëndë të EBF, boksierin nga Presheva, Sevdail Sherifin.
Korespondenti ynë, Dashnim Hebibi u ngjit në ring për të marrë deklaratat ekskluzive të këtij dueli nga vet boksieri.
“Falënderoj shumë prezencën tuaj dhe të gjithë bashkatdhetarët, ju dua shumë dhe përshëndes të gjithë lexuesit tuaj kudo që janë. Më duhet të punoj edhe më shumë, kuptohet, dhe të fitoj edhe më shumë përvojë”, theksoi Sevdail Sherifi pas meçit ekskluzivisht për portalin Telegrafi.
I pranishëm në këtë duel të rëndësishëm boksi për shqiptarët ishte edhe legjenda e boksit Aziz Salihu, që nuk mbeti pa u prononcuar, duke thënë: “Sevdaili është djal i mirë, ka formë të mirë dhe taktikë të mirë, por i duhet të punojë më shumë dhe kam besim se sukseset e tij vetëm sa kanë filluar”.
Pos tjerash u shpreh edhe babai i Sevdail Sherifit duke falënderuar të gjithë bashkatdhetarët për përkrahjen, e njëkohësisht shprehur bindjen e tij se djali i tij do ta përfaqësojë denjësisht dhe do të ngrisë zërin e Kosovës Lindore. /Telegrafi/