Site icon Telegrafi

“Arrestimi i fotografisë” dhe inatet e kryeministrit serb: Pse u ndërpre konferenca Rama-Vuçiq?

Konferenca për shtyp e kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka shkuar si duhet. Në fakt, ajo është ndërprerë për shkak të disa mosmarrëveshjeve mes Edi Ramës së Shqipërisë dhe Aleksandar Vuciqit të Serbisë.

Klan Kosova ka mësuar prapaskenat e asaj që ndodhi në Sarajevë:

Sipas agjendës se publikuar nga qeveria e Bosnje dhe Hercegovinës, në fund të takimit të sotëm, gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të prononcoheshin me radhë në një konferencë për shtyp, së bashku me Komisionerin Johaness Hahn.

Por, për çudinë e të gjithë gazetarëve të shumtë, konferenca është ndërprerë kur pas kryeministrit të Bosnjës, si i zoti i shtëpisë, dhe komisionerit Hahn, i ka ardhur radha kryeministri Vuciqit. Sapo është thirrur nga moderatoja për te marrë fjalën, serbi ka bërë me shenjë nga Edi Rama.

Ky gjest ka lënë të kuptohet se Vuciqi i ka hapur rrugën Ramës për të folur. Ky i fundit, siç merr vesh Klan Kosova, nuk ka reaguar dhe pas kësaj, kryeministri serb është kthyer nga salla dhe ka thënë se mjafton me kaq dhe se nuk ka kuptim te flasin të gjithë. Pastaj ai ka lëvizur nga podiumi dhe kështu kanë bërë edhe mysafirët e tjerë duke shkaktuar acarimin e gazetarëve që prisnin prej më shumë se një ore.

Më pas, gazetarë të pranishëm që kanë arritur të kapin diçka nga një shkëmbim fjalësh në anglisht mes kryeministrit serb e atij shqiptar, në korridorin që çonte për në sallën e konferencës së shtypit, kanë treguar se Vuciqi ka thënë me zë të lartë se ishte përgatitur të denonconte arrestimin e një militanti të partisë së tij në Kosovë. Ky i fundit, sipas shefit të Qeverisë serbe, ishte arrestuar sepse kishte në makinë posterët e kampanjës elektorale të partisë së kryeministrit serb.

Kryeministri Rama mësohet t’i jetë kthyer Vuciqit me përgjigjen: “Duhet ta dish se nëse ti e thua këtë në konferencë unë do të them se ta kam thënë që po s’e njohe Kosovën probleme do kesh! Dhe do t’i sqaroj unë gazetarët qe nuk është e vërtetë që në Kosovë e kanë arrestuar njeriun tënd, por se kanë sekuestruar posterët e tu, domethënë kanë arrestuar fotografinë tënde”!

Muhabeti rreth “arrestimit të fotografisë” është pritur me të qeshura nga të pranishmit, ndërsa krejt në fund kryeministri Vuciq ka preferuar ta lë me kaq dhe të evitojë replikën e radhës së kolegut të tij shqiptar. /klankosova.tv/

Exit mobile version