Prishtina është duke tentuar t’i mbledh 20 lojtarë nga klubet e Kosovës, por edhe jashtë vendin për të pasur gati një ekip për tu ballafaquar me Lincoln Red Imps në kuadër të ndeshjeve para-kualifikuese për Ligën e Evropës.
Dje (e martë) gjatë ditës, tetë lojtarë të klubit kryeqytetas rezultuan pozitivë pas testeve për COVID-19.
Kështu që ndeshja e planifikuar të zhvillohet nga ora 18:00 në Gjibraltar u anulua nga autoritetet vendase.
Megjithatë, klubi prishtinas ka ende shpresa për të zhvilluar ndeshjen dhe për të mos u diskualifikuar nga gara.
Telegrafi mëson se UEFA nuk ka marrë ende vendim për ndeshjen dhe gjasat që ajo të zhvillohet janë reale dhe atë pas tri apo katër ditësh.
Prishtina për këtë është duke provuar që të tubojë 20 lojtarë nga klubet vendore dhe jashtë vendit që ta ketë gati një skuadër për ndeshjen ndaj Lincoln Red Imps.
Asnjë nga lojtarët dhe stafi që ishin në udhëtim nuk kanë të drejtë të udhëtojnë sërish. Kjo i bie që një trajner tjetër do ta drejtojë Prishtinën në këtë ndeshje.
Tashmë kërkesat për transferimin e disa lojtarëve i kanë shkuar disa klubeve.
Mësohet se disa lojtarë janë liruar nga klubet e tyre për këtë ndeshje të garave evropiane, emra të njohur për redaksinë e Sportit në Telegrafi.com.
/Telegrafi/