Site icon Telegrafi

Ekskluzive: Prishtina ka gati skuadrën, transferon edhe një super-yll të BIBL-së

Skuadra e cila vitin e kaluar fitoi tre trofe dhe gjithashtu shkëlqeu në debutimin e saj në Ligën Ballkanike, e sidomos me organizmin e Final-Four në Prishtinë, është duke e krijuar një skuadër edhe më të fortë për edicionin e ri.

Burimet e Telegrafit brenda klubit thonë se tashmë janë arritur marrëveshjet për të vazhduar kontratat me Dardan Berishën dhe Blerim Mazrekun, ndërsa kapiteni Edmond Azemi dihet se është i paprekshëm dhe qëndrimin e ka pasur të sigurt që në fillim. Në ditët në vijim do të përmbyllen marrëveshjet edhe me lojtarë të tjerë vendorë.

Për më shumë, Telegrafi ka mësuar se është arritur edhe marrëveshje verbale me disa lojtarë të huaj, ndërsa tek të premten do të fillojë nënshkrimi i kontratave. Aurimas Kieza si duket do të kthehet përsëri në kryeqytet.

Kur jemi tek lojtarët e huaj, Telegrafi ka mësuar se Sigal Prishtina do ta transferojë një super-yll që edicionin e kaluar ka shkëlqyer në Ligën Ballkanike dhe ai do të zyrtarizohet me shumë gjasa të premten.

Gjithashtu, bordi i klubit tashmë ka gjetur edhe një trajner të ri, emri i të cilit ende nuk dihet, por thuhet se është një trajner me përvojë të madhe ndërkombëtare. Që nga data 1 shtator e tërë skuadra do të jetë e kompletuar dhe do t’i fillojnë stërvitjet të gjithë.

/Telegrafi/ 

Exit mobile version