Në fund të muajit prill, Latifi së bashku me dy futbollistët tjerë të Prishtinës, Enis Gavazajn dhe Lorik Aliun, iu bashkuan skuadrës së Dortmundit për një turne shtatë ditor në Zvicër e Gjermani dhe pikërisht në ato ndeshje që u provuan te ekipi gjerman, Latifi si duket u ka lënë përshtypje atyre dhe tani është duke kontaktuar me ta.
I pyetur se a e sheh vetën duke luajtur ende në Prishtinë, Latifi tha: “Synimet e mija janë që të largohem nga Prishtina dhe të vazhdoj në ndonjë skuadër evropiane, por gjithçka mbetet të shihet”.
Ndërsa, kur e pyetëm se me cilat ekipe ka kontakte për momentin, Liridoni u shpreh: “Për momentin në kontakte jam vetëm me Dortmundin, por nuk e di ndoshta do të jem edhe për një kohë te Prishtina”.
Ai gjithashtu morri pjesë me ekipin U19 të Prishtinës para disa ditësh në turneun ndërkombëtar “RUHR Cup 2013” në Gjermani, ku u dallua dukshëm nga të gjithë, e sidomos në ndeshjen kundër Arsenalit, të cilën bardhekaltërit e fituan në penallti.
“Kemi kaluar shumë mirë dhe aty ka pasur shumë shqiptarë që na kanë përkrahur. Lojtarët e ekipeve tjera nuk kanë dalluar nga ne, përkundrazi ne i kemi treguar vlerat tona dhe kemi lënë përshtypje të mirë”, përfundoi talenti kosovar për Telegrafin. /Telegrafi/