Para pak çastesh raportuam se trajneri turk do të japë dorëheqje sot dhe për këtë nuk ju gënjyem. Tani, çdo gjë është bërë zyrtare dhe lajmin e kanë konfirmuar edhe kryesia e klubit përmes një komunikate në faqen e tyre në Facebook. Ju ftojmë ta lexoni këtë komunikatë në vazhdim:
“Të nderuar,
Ju njoftojmë se sapo na erdhi vendimi i kryejtranerit të deritashëm, Ceyhun Cabadak, i cili na njoftoj për dorëheqjen e tij si kryetrajner i KB SIGAL Prishtina.
Vendimi i tij, sado i papritur në këtë pjesë të sezonit, në mënyrë konsesuale është pranuar edhe nga bordi i KB SIGAL Prishtina, pasi që ishte edhe vendim dhe kërkesë personale e trajnerit.
KB SIGAL Prishtina dëshiron ta falënderoj trajnerin Ceyhun Cabadak për përkushtimin e tij maksimal në arritjen e objektivave të Klubit tonë.
Cabadak filloj aventurën e tij në KB SIGAL Prishtina duke fituar Superkupën e Kosovës dhe në krye të tij, Klubi ynë momentalisht gjendet në pozitën e parë në Ligën e Kosovës si dhe në pozitën e dytë në Ligën Ballkanike.
Trajneri Cabadak gjithsesi do të mbetet si pjesë e historisë së Klubit tonë, duke qenë trajneri i parë që debutoj në garat ndërkombëtare dhe atë me fitore në një terren mjaft të vështirë si ai i Kumanovës.
KB SIGAL Prishtina dhe lojtarët i dëshirojnë trajnerit suksese në të ardhmen e tij.
Faleminderit Cabadak!”.
(12:14)Trajneri i Sigal Prishtinës, Ceyhun Cabadak, pas pak çastesh pritet të japë dorëheqje dhe të largohet nga klubi.
Burime të sigurta të Telegrafit brenda klubit kanë mësuar se pas humbjes turpëruese nga Teodo javën e kaluar në kuadër të Ligës Ballkanike, raportet mes udhëheqësisë së klubit dhe trajnerit turk janë ftohur.
Po t’i shtohet kësaj edhe reagimi publik i kryetarit të Plisave, Albert Kastratiti, i cili kërkoi dorëheqjen e tij, dhe siç dihet Plisat gjithmonë kanë ndikim të madh në kryesinë e klubit, si duket këta të fundit kanë vendosur ta largojnë këtë trajner.
Është çështje orësh kur pritet që ky lajm të bëhet publik edhe nga vetë zyrtarët e klubit, dhe ne do t’ju raportojmë edhe për këtë. Dorëheqja e tij e Cabadak është 99% e sigurt. /Telegrafi/