Të sigurosh një biletë për ndeshjen Çeki – Kosovë ka qenë një sfidë në vete, pasi ka qenë thuajse e pamundur.
Federata e Futbollit të Çekisë kishte marrë urdhër që mos t’i shiste biletat e tifozëve të tyre për tifozët kosovarë të cilëve u takonin vetëm 585 bileta apo 5% e ulëseve në stadium.
Mijëra shqiptarë kishin marrë rrugë për në qytetin e lashtë Plzen të Republikës së Çekisë për ta përkrahur Kosovën.
Ekipi i Telegrafit gjatë qëndrimit në Plzen është takuar me shumë bashkatdhetarë që kishin udhëtuar nga vende të ndryshme të Evropës dhe kërkonin një biletë, të cilën ishin në gjendje ta paguanin në shifra të çmendura nga 250 deri në 500 euro.
Edhe pse Federata e Futbollit të Çekisë biletat e tifozëve vendas i kishte të siguruara vetëm për tifozët e saj, një shqiptar nga Kosova ka marrë një befasi të madhe.
Gjokë Karaqi nga Gjakova jeton dhe vepron në qytetin Liberec të Çekisë, ndërsa kishte marrë dy bileta dhuratë nga trajneri i Kombëtares çeke Jaroslav Silhavy.
Si ndodhi që Gjoka t’i merrte dy biletat nga trajneri Silhavy?
Gjokë Karaqi është një djalosh i ri, por që ai dhe familja e tij kanë biznes në Liberec të Çekisë. Gjakovari ka Picerinë Franko në Liberec, piceri që është më e frekuentuara në këtë qytet të madh çek.
E trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavy kishte qenë njëri nga vizitorët më të rregullt të kësaj piceri gjatë viteve 2011-2014 sa drejtonte skuadrën Slovan Liberec. Që nga ajo kohë Gjoka ka mbajtur kontaktet me trajnerin dhe tani e ka një mik të çmuar.
“E pash se është problem që të pajisem me një biletë dhe vendosa ta kontaktoj trajnerin Jaroslav Silhavy. I tregova si është puna dhe i kërkova dy bileta, ndërsa ai me mirësjellje m’i dhuroi dy të sektorit VIP. U tregua shumë i sjellshëm edhe pse dëshiroja që ai ta humbte takimin”, u shpreh Gjoka për Telegrafin në stadiumin Doosan Arena.
Herolind Shala e kishte ‘shtëpi të dytë’ Picerinë Franko
Njëri nga lojtarët më të mirë të Kosovës është Herolind Shala që më parë ka bërë karrierë në Çeki. Mesfushori kosovar ishte i huazuar tek Slovan Libereci në sezonin 2015/16, ndërsa rregullisht është ushqyer tek piceria e familjes gjakovare Karaqi.
“Kur erdhi Herolind Shala në Liberec u gëzova shumë, pasi na erdhi një bashkëvendës në klub. Ai u bë lojtari kryesor i ekipit tonë dhe u shoqërova me të. Vazhdimisht ka ardhur këtu dhe Franko piceria ka qenë si një shtëpi e dytë për të”.
“Që nga ajo kohë ne mbajmë kontakte me Herolindin dhe i gëzohemi jashtëzakonisht shumë sukseseve të tij dhe Kosovës”, tha Gjoka.
Lëndimi ia pamundësoi të bëhej futbollist profesionist, biznesi e miqësoi me yjet e futbollit
Gjokë Karaqi ka qenë një futbollist mjaftë i mirë dhe ka luajtur për ekipet e moshave të Slovan Liberec.
Por lëndimet e rënda që pësoi në gju e detyruan atë të largohej përfundimisht nga futbolli në vitin 2016, duke u fokusuar në biznes, pasi përveç picerisë që ka në Liberec ai posedon edhe një restaurant në Zittau të Gjermanisë.
Pasi lëndimet e shumta i pamundësuan të bëhej një futbollist profesionist, ka qenë biznesi i tij që e ka shoqëruar me yjet e futbollit çek.
Përveç trajnerit Slihavy, Gjoka ka shoqëri shumë të mirë edhe me yjet e Kombëtares çeke si Vladimir Coufal apo David Pavelka.
“Lojtarët e trajnerët e Liberecit të gjithë vijnë këtu në Franko piceria. Falë sjelljeve të mira kam ruajtur shoqëri me shumë yje të futbollit çek si Coufal, Pavelka e lojtarë të tjerë. Gjithsesi ne mundohemi të tregojmë kulturën tonë për t’i pritur me mirësjellje dhe natyrisht ata na respektojnë për punën e madhe që bëjmë”, përfundoi Gjoka rrëfimin e tij për Telegrafin.
Gjakovari për fund e falënderoi trajnerin çek Jaroslav Silhavy për biletat, edhe pse dëshira e tij e madhe ishte që Kosova të kualifikohej për në Euro 2020, por që shpreson se këtë gjë Dardanët do ta arrijnë nga Liga e Kombeve. /Telegrafi/