Sigal Prishtina u mposht nga Peja me rezultat 80-66, në një ndeshje ku asgjë nuk i shkoi mirë bardhekaltërve, dhe portalet kanë raportuar pas ndeshjes se Dardan Berisha ishte përfshirë në një përplasje verbale me bashkëlojtarët e tij.
Sipas spekulimeve, e gjitha filloi me një qortim që ai i bëri basketbollistit të akademisë prishtinase, Fisnik Rugovës, teksa më pas pasoi ndërhyrja e bashkëlojtarëve të tjerë me të cilët Berisha u përplas verbalisht.
Sidoqoftë, Dardan Berisha ka folur ekskluzivisht për Telegrafin duke e sqaruar mirë këtë punë.
“Nuk ka kurrfarë problemi, kemi pasur një diskutim gjatë lojës që është shumë normal, ndërsa pas lojës gjithçka ka shkuar si zakonisht”, sqaroi Dardani fillimisht për Telegrafin.
“Ndërsa të premten kundër Kastriotit kam munguar për shkak të vdekjes së xhaxhait tim, e kjo nuk ka pasur të bëjë me kurrfarë problemi në skuadër. Sot do të paraqitem në ndeshjen kundër Trepçës edhe pse po kaloj kohë të vështirë për momentin, si unë ashtu edhe familja ime”, ka theksuar Berisha.
“Mua po më vjen keq edhe turp për njerëzit që merren me sport e shkruajnë kësi gënjeshtra për mua. Këta njerëz nuk kanë lidhje me sport, e aq më pak kanë edhe moral. Ata janë të pafytyrë dhe vetëm në kësi mënyra dëshirojnë që të lexohen apo të dalin në ‘skenë’”, ka kritikuar ashpër Berisha.
Sot me fillim nga ora 17:15 në Palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë zhvillohet gjysmëfinalja tjetër e play-offit ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës. /Telegrafi/