Site icon Telegrafi

Ekselenca juaj, Bernd Borchardt

I nderuari Borchardt, lexova letrën tuaj për mua si qytetar i Kosovës. Fillimisht isha kureshtar për të kuptuar motivet tuaja për t’ju drejtuar publikut me shkrim. Në fund te letrës e kuptova se ju po provoni të sqaroni kush jeni, çka mundeni e çka nuk mund të bëni në Kosovë. Pavarësisht ndjenjave e motiveve tuaja, në perspektiven time po del tendencë për shfajësim dhe sforcim të sqarimeve për disa veprime që kanë marrë vartësit tuaj ditëve të fundit.

Nëse e keni ndjenjën se njerëzit e Kosovës po sillen “çuditshëm” në reagimet për hapat e drejtësisë së EULEX-it, unë ju them se kosovarët nuk po mendojnë se ju po bëni politikë me drejtësinë. Te vetmin percepcion politik ndaj Evropës e kanë në stilin “sherri i pesë shteteve që s’po na njohin, Evropa nuk po mundet me përfundua storjen e Kosovës”! Me arrestimet e fundit po çuditen edhe pse të huajt vazhdimisht thonë se në Kosove ka pas konflikt e në rrethanat e fundit po përmendet termi “krime lufte”!

Mendoj se është shumë i thjeshtë sqarimi se si funksionon drejtësia. Kosovarët kanë parë shumë filma me tematikë gjyqësore ku duken gjykatësi, prokurori, avokati, dëshmitari, provat… Ajo çka nuk po vërejnë aktualisht është deklarimi dhe sqarimi për rrethanat dhe motivet. Nëse politika ndërkombëtare dhe ajo vendore kuptojnë dhe pajtohen se këtu ka pas luftë, ky do të ishte hapi i parë për të gjetur drejtësinë. Menjëherë pason identifikimi i agresorit dhe viktimës.

Keqkuptimi me EULEX-in ka fillua në momentin kur ju keni thënë nuk ka pasur luftë këtu. Kosovarët nuk kanë pasë kurrë shtet as tanke për tu përballur me fqinjët, e ndoshta për këtë u duket e çuditshme kjo terminologji. Nuk po shtoj këtu përjetimet dhe kujtimet e tyre nga ajo luftë konflikti. As pritjet e tyre pas tmerrit që (nuk) kanë kaluar,

Për kriminelët që nuk janë në Kosovë, kosovarët prapë nuk e kuptojnë këtë sistem. Ata mendojnë se Evropa është e fortë edhe e drejtë. Ata e dinë dhe kujtojnë procesin e Nurnbergut. Kanë pritë identifikim fajtori për luftën dhe arritje të drejtësisë. Së paku, në këtë letrën tuaj e kuptuan se nuk mund të shpresojnë shumë dhe iu duhet të harrojnë luftën (konfliktin).

Këtu ka edhe një paradoks nga ana e kryeministrit të tyre me gjithë ato ambiente miqësie në Bruksel. Dhe, vijnë në një stad kur thonë vetmevete: “Na jemi të ligë e s’kemi çka bëjmë. Evropa po thotë kështu”. Mos ta harrojmë edhe Amerikën.

Sa i përket krimeve të shqiptarëve kundër shqiptarëve, kjo na kthen në situatat tensionuese të pasluftës dhe prapë, domosdo duhet kuptuar rrethanat dhe motivet. Nëse nuk ka pasë luftë në Kosovë, humb kuptimi i kolaboracionistit dhe nuk ka logjikë krahasimi me Francën e pasluftës. Mbeten mandej versionet banale, parimore edhe politike të sqarimit. Parimorja ka të bëjë me relacionet me aparatin shtetëror serb para luftës dhe politikja ka të bëjë me vizionin e arritjes së lirisë. Këtu vjen edhe absurdi I EULEX-it kur shënon arrestimin për krime “lufte”. Dallimi i Kosovës me krejt rajonin është po ashtu se secila nga ato vende që ju përmendni në letër, kanë histori ndryshe dhe kanë bërë luftën në raporte ndryshe.

Përkundër pak fjalëve për dhunimet seksuale në Kosovë nga teksti juaj, kjo është një temë shumë delikate, sepse përfshinë implikime të drejtpërdrejta te viktimat edhe sot e çdo ditë. Nëse ka pajtim se ka pasë luftë në Kosovë dhe krimet seksuale llogariten në kuadër të krimeve lufte, është krejt tjetër proces që shpie në drejtësi. Ju lutem harroni drejtësinë e ballafaqimit të viktimës me dhunuesin. Personat e dhunuar gjatë luftës përveç tjerash shfaqin për çdo ditë manifestimin e shenjave të turpit dhe të ndjenjës së fajësisë edhe pse s’e kanë pikën e fajit. Këtu duhet drejtësia. Për një person të dhunuar, EULEX-I është e vetmja shpresë dhe bari për të zbutur së paku këto simptome. Ju lutem mos i thirrni të vijnë te ju. Dilni nga zyra dhe gjejini ato.

Duke ju falënderuar për mundin e adresimit publikut kosovar, ju lutem të keni parasysh sugjerimin e llojit tjetër. Kosovarët janë shumë të frustruar viteve të fundit të pasluftës. Nga robëria, nëpër një luftë (konflikt) të tmerrshëm, ata nuk kanë pritur këtë përditshmëri aktuale. Ndoshta edhe s’e kanë idenë as çka kanë pritur prej shtetit, përderisa nuk e kanë pasur kurrë. Ata veç e dinë se dikush duhet të bëjë diçka.

Një lutje të fundit me idenë e kthimit (mbajtjes) së imazhit të EULEX-it ka të bëjë prapë me gjyqësinë e misionit tuaj. Ju lus që prokurorët që thirrni për sqarimin e luftës, të kenë ndonjë përvojë apo njohuri më shumë nga drejtësia e pasluftës.

Nëse doni të goditni në thelb problemin e drejtësisë në Kosovë, thirrni më shumë prokurorë të rryer në krimin e organizuar dhe korrupsion. Në gjashtë muaj të punës së tyre efikase, kosovarët do të luteshin të mos shkoni kurrë nga këtu.

 

Exit mobile version