Site icon Telegrafi

Ekpertët: Gjuha shqipe duhet të mbrohet me ligj të posaçëm

Ndërkohë që partitë janë në fazën e bisedimeve për zyrtarizmin e shqipes, albanologët rekomandojnë që të miratohet edhe një ligj që do ta mbrojë gjuhën shqipe. Ky ligj, sipas profesoreshës Ajtene Qamili do të duhet të sanksionojë gabimet eventuale drejtshkrimore. Në të kundërtën, shqipja do të bastardohet ashtu siç është bastarduar deri tani dhe askush nuk do të merr përgjegjësi.

“Nëse nuk ekziston një ligj i veçantë që do ta mbronte shqipen, atëherë nuk do të mund të kemi një zyrtarizim të plotë të shqipes dhe atëherë nuk do të jetë fare e barabartë me maqedonishten. Dhe të parashihen edhe gjobat për shkeljet e mundshme dhe thyerjen e rregullave drejtshkrimore”, deklaroi për Alsat-M, Ajtene Qamili, profesoreshë universitare.

Ndërsa sipas profesorit, Asllan Hamiti është koha që çështja e shqipes të zgjidhet përfundimisht.

“Do të ishte mirë që krahas zyrtarizimit të saj në gjithë territorin e Maqedonisë, të ketë edhe një ligj tjetër përcjellës edhe për mbrojtjen e saj, për arsye se në të gjitha veprimtaritë shoqërore sillen ligje por ato ligje edhe mund të mos respektohen aq sa duhet. Mendoj se këto duhet të shkojnë së bashku, d.m.th edhe ligji për përdorimin e shqipes në gjithë territorin e Maqedonisë dhe ligji tjetër për mbrojtjen e saj”, deklaroi për Alsat-M, Asllan Hamiti, profesor universitar.

Sa për krahasim, me Ligjin për mbrojtjen e gjuhës maqedonase parashihet gjobë deri në 1500 euro për personat juridik që publikojnë dokumente të pa lekturuara. Por një dispozitë e tillë nuk ekziston në Ligjin aktual mbi përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e popullsisë së Maqedonisë./Telegrafi/

Exit mobile version