Site icon Telegrafi

Ekonomitë në zhvillim pritet të përfitojnë nga tensionet tregtare

Grupi i ekonomive në zhvillim i njohur si BRICS, janë përpjekur prej kohësh që të krijojnë një zë të unifikuar në skenën ndërkombëtare, por Presidenti i SHBA, Donald Trump, sapo i ka dhënë një mbështetje në mënyrë të tërthortë.

Ndërkohë që liderët e Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut mblidhen në Johannesburg për takimin e tyre vjetor, çështja e tregtisë dhe proteksionizmit pritet të mbizotërojë në bisedime, ndërkohë që Trump ka propozuar tarifa kundër Bashkimit Europian dhe Pekinit.

Anëtarët e BRICS, pritet të përfitojnë nga tensionet, për të rritur profilin e vendeve të tyre, sipas analistëve. Vendet e BRICS kanë refuzuar mbizotërimin e perëndimit në institucionet ndërkombëtare, por mungesa e unitetit ka ndaluar vendet anëtare që të krijojnë një zgjidhje alternative.

Ndërkohë që tarifat e Trump për importet e çelikut dhe aluminit pritet të godasin secilin vend anëtar, Pekini, New Delhi dhe Moska kanë përgatitur kundërpërgjigjet. Kjo përbën diçka pozitive për Pekinin, që po përpiqet të cilësojë veten si një kampion i tregtisë së lirë, ndërkohë që zyrtarët e vendit kanë thënë se janë detyruar që t’i kundërpërgjigjen Trump.

Sipas analistëve, duke marrë parasysh dështimin e ministrave të Financave të G20-ës për të larguar rrezikun e proteksionizmit, samiti i BRICS ka gjasa të kthehet në një forum kritik global për të mbledhur mbështetje mbi tregtinë e lirë. /Telegrafi/

Exit mobile version