Telegrafi

Ekonomistët, masa të tjera qeveritare në ndihmë të ekonomisë

Këshillat e fundit u parashtruan mes komenteve të fundit mbi ekonominë te Presidentit të zgjedhur Barak Obama dhe lajmeve ekonomike dekurajuese.

Paralajmërimet e bëra gjatë një forumi të Kongresit mbi të ardhmen e ekonomisë të organizuar nga demokratët në Kongres ishin shumë të qarta. Mark Zandi, krye-ekonomist i faqes informative elektronike Moody’s Economy.com e quajti recesionin të rëndë me ndikime të gjera në të gjithë vendin.

Masat e qeverisë për të rritur sasinë e parave më treg, tha zoti Zandi, kanë ndikim të kufizuar, duke bërë thirje për rritjen e shpenzimeve dhe shkurtim të taksave.

“Na nevojitet një paketë domethënëse stimujsh. Mendoj se një paketë prej 750-800 miliard dollarësh do të ishte me vend po të mendonim se si do të ishte bota pa të.”

Zoti Zandi thotë se qeveria federale duhet të trajtojë reformën e falimentimit dhe hapat për parandalimin e mospagimit të kredive të shtëpive. Robert Reich, ish sekretar i punës në administratën e presidentit Klinton, mbështet një paketë edhe më të madhe në shumën e 900 miliard dollarëve.

“Nëse nuk do të miratohet një paketë me atë shumë, vitin e ardhshëm ne do të humbim edhe 3 milion vende pune të tjera, papunësia do të arrijë në 10 përqind dhe numri i njerëzve që do të mund të gjejnë punë vetëm me gjysëm orari do të arrijë në 15 përqind./woa/