Telegrafi

Ekonomistët francezë: Shqipëria, një Kinë e vogël e Ballkanit

Kjo revistë e njohur ekonomike nënvizon faktin se vendi ynë ofron një shans të mirë për investitorët e huaj. Tregu i përshtatshëm shqiptar, shkruhet në artikull, ofron një shans të mirë për industrialistët europianë që po ndeshen sot me konkurrencë të ashpër.

Shqipëria, shpjegon Francis Mer, një prej personaliteteve më të njohura franceze dhe ish-ministër i Ekonomisë në kabinetin e Jean-Pierre Raffarin, mund të bëhet një Kinë e dytë, për sa i përket krahut të punës, i cili është më i lirë, por edhe më i kualifikuar dhe i motivuar sa në Perëndim.

Ish-ministri i Ekonomisë thotë se Shqipëria që sapo ka hyrë në NATO dhe po troket në portën e Bashkimit Europian, është sot më kompetitive se vendet e tjera në zhvillim, siç janë Tunizia apo edhe vetë Kina.

Po ashtu, kostot e transportit nga Shqipëria në Europë janë shumë më të ulëta se nga Azia. Kryeministri i saj, shkruhet më tej në artikull, një liberal i bindur, premton se do të mbajë taksën e sheshtë për të ardhurat në nivelin 10 për qind dhe se do ta zhvillojë më tej infrastrukturën energjetike e atë rrugore.

Berisha arriti të ulë shpenzimet qeveritare me 40 për qind dhe është treguar i ndjeshëm ndaj çështjeve të arsimit, vijon më tej shkrimi i "Le Nouvel Economiste".

Shqiptarët, argumenton ish-ministri Mer, kanë vuajtur shumë në të shkuarën dhe Europa mund t‘i ndihmojë tani duke u ofruar zhvillimin e qëndrueshëm. Industrialistët europianë mund të kenë shanse të mëdha në Kinën e vogël të Ballkanit, përfundon revista.