Telegrafi

Ekonomisë gjermane i duhen të huaj të kualifikuar

Ministri i Ekonomisë, Rajner Bruderle, tha se Gjermania vitin e kaluar ka pësuar humbje prej 15 miliardë euro, për shkak të mungesës së fuqisë së kualifikuar punëtore. Sipas raporteve qeveritare, Gjermanisë i mungojnë rreth 36 mijë inxhinierë dhe 66 mijë ekspertë për kompjuterë.

Shefi i Lidhjes së industrisë gjermane, Hans Peter Kajtel, theksoi se Gjermanisë brenda vitit i nevojiten mijëra inxhinierë të rinj ndërtimorë.

Kryetari i Institutit gjerman për hulumtime ekonomike, Klaus Cimerman vlerësoi se vendit brenda vitit i nevojiten së paku 500 mijë punëtorë të kualifikuar nëse dëshiron ta ruajë standardin dhe pozicionin e tanishëm në tregun botëror.

Sipas paralajmërimeve të Qeverisë gjermane, njëri nga hapat e parë për zgjidhjen e këtij problemi do të jetë përshpejtimi dhe thjeshtësimi i njohjes së diplomave të huaja.

Në Gjermani midis 300 dhe 500 mijë të huajve kanë kualifikime shumë më të larta se ato që kërkohen në vendet e punës në të cilat janë të punësuar. Nuk janë të rralla rastet kur mjekë me diploma të huaja punojnë si infermierë, ndërsa inxhinierë si mjeshtër të stërvitur në fabrikë /Telegrafi/