Dy ngjarje të mëdha, me efekte historike për Kosovën, na kanë vënë në vëmendjen e politikës botërore: çlirimi dhe pavarësia! Por, po bëhen disa vite që “shqetësimi” e “përkujdesja” e miqve ndërkombëtarë dhe aleatëve tanë të çmuar kanë filluar “të zbehën”. U frenuan, për të mos thënë që, në ndonjë rast, njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, edhe janë pakësuar. Vazhdon, edhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë, mosnjohja e saj nga pesë anëtare të BE-së. U shmang, si rrjedhojë e “historisë”, “peshës” dhe “ndikimit” të Serbisë anëtarësimi në Interpol. U zvarritën dhe nuk dhanë rezultatin e pritshëm bisedimet disavjeçare Kosovë- Serbi nën kujdesin e BE-së.
Politika jonë shtetërore dhe ajo ndërkombëtare kanë sugjeruar dhe janë përpjekur të gjejnë një zgjidhje për ngërçin politiko- shtetëror mes Serbisë dhe Kosovës. Jemi realisht dy shtete në qendër të Evropës Perëndimore.
Në “parahistorinë” më të afërt, në prag të prishjes së ish-Federatës së Jugosllavisë, kemi gëzuar të njëjtin status kushtetues në forumet e larta shtetërore, por nën emërtimin e “Krahinës Autonome”, dhe jo Republikës. Kjo diferencë formale mes krahinës dhe republikës dhe, sidomos, Kushtetuta e Serbisë, vazhdon që të na konsiderojë pjesë të Republikës së Serbisë, janë fillimi dhe fundi, i mospajtimit dhe i shqetësimit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Historia e shprishjes së ish-Federatës së Jugosllavisë dhe problematikat e mbetura pas saj dihen. Dihen problematikat kufitare ende të pazgjidhura, mes Kroacisë dhe Sllovenisë; Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi; Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës. Në këtë hapësirë historike Serbia, ish- kryeqendra e federatës, dhe realisht sunduese e Jugosllavisë, u ndje e dëmtuar politikisht, territorialisht dhe e ofenduar historikisht.
Bisedimet disavjeçare, të kërkuara dhe të menaxhuara nga BE-ja, mes Kosovës dhe Serbisë u ndërprenë. Arsyet për këtë u përligjen si nga Prishtina, edhe nga Beogradi. Shkaqet e ndërprerjes qenë thuajse të njëjta: zgjedhjet “problematike” parlamentare, protestat popullore dhe mungesa e hapësirave ligjvenëse. Mund të ketë qenë rastësi, por ndërprerja e bisedimeve në kohë me përqasjen nga Rusia të aneksimit prej saj të Krimesë, me “shkëputjen” e Kosovës nga Serbia.
Ky akt dhe fakt me dimensione ndërkombëtare risolli në vëmendje raportin, disi më të hershëm, atë tonin me Serbinë.
Kemi shumë vite që, nën “këshillimin” ndërkombëtar, po bisedojmë që Serbia të na njoh politikisht si shtet. Brukseli rezultoi jo produktiv. Në vazhdim e tejkalim të ngërçit mes palëve në “konflikt”, u parashtrua një zgjidhje me dy cilësime: rishikim ose korrigjim kufijsh. Por, kur ky opsion, u vu në diskutim mes “po”-së dhe “jo”- së, pëlqimet dhe mospëlqimet politike, institucionale dhe popullore, dhe u shfaq taksa 100% ndaj mallrave serbe të importuara nga Kosova.
Qeveria e Kosovës, që ligjërisht, në demokracitë parlamentare identifikohet me “forcën” e shtetit, miratoi dhe zbatoi taksën ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Për marrjen e këtij vendimi me siguri është dashur paraprakisht konsultim, llogaritje pasojash dhe, mbi të gjitha, përgjegjshmëri.
Të kufizosh importin e mallrave është normalisht në ekonominë e “tregut”, fuqi ekonomike e shtetit, që mbron prodhimin vendas me subvencionim. Ne, dhe kjo dihet, jemi të pazotë për këtë, ndaj u përballëm dhe vazhdojmë të gjykohemi për taksën!
Alarmin kundër taksës e dha Beogradi, duke e cilësuar heqjen e saj si kushtin kryesor (për të mos thënë të vetmin), për rifillimin e dialogut. Ky kushtëzim ka qenë i efektshëm në diplomacinë dhe politikën botërore.
Kundër kësaj takës janë shprehur përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, madje edhe krerë të insitucioneve të larta shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri. Në përballje me të gjithë, kryeministri i Kosovës “guxon” të insistojë në vendimin për taksën, që u mor me objektivin e shprehur qartë dhe hapur: “Do të hiqet ditën që Serbia do të njoh zyrtarisht dhe botërisht shtetin e Kosovës”.
Nuk gjykoj dot për këtë qëndrim e vendim. Por, mendoj dhe vlerësoj efektin real të këtij akti që, në përballje me opsionet e përfolura politike e mediatike për “rishikim”, “ndryshim” dhe “korrigjim kufijsh” mes dy shteteve, shpalli dhe po mban sovranitetin shtetëror përmes ekonomisë. Kjo taksë na rikthen në vëmendjen e Evropës dhe të botës, kuptohet, me ndihmën e ndjeshme të “alarmit” të Serbisë për të.
Jemi shtet i vogël dhe më i riu në Evropë. Para 20 vjetësh ishim “oborri i pasmë” i Serbisë dhe, edhe para disa muajsh, kemi qenë tregu i saj. Kur Kosova vuri taksën për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës, dy shteteve të dala nga ish-Jugosllavia që vazhdojnë të mos e njohin si shtet te pavarur, ajo u bë e rëndësishme, u ribë subjekt bashkëveprues me BE-në dhe SHBA-në. E pse?!
Politika e udhëheq ekonominë. E orienton, i hap rrugë dhe i krijon hapësirë veprimi. Ekonomia është bazamenti i besueshmërisë së politikës dhe i ecurisë së saj. Politika në Kosovë nuk arriti ta gjejë një zgjidhje të pranueshme e përfundimtare për raportet shtetërore Kosovë- Serbi.
“Çelësi” ekonomik, prezent dhe veprues edhe në Samitin e Berlinit, mendoj se mund të vlejë dhe të shërbejë për normalizimin sa më të shpejt të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)