Ekonomia shqiptare ka parë një ngadalësim të ndjeshëm në 2019, me më shumë shqiptarë që lënë vendin, e më pak që kthehen brenda kufijve. Një vit problematik, me presione të shtuara dhe me një rritje ekonomike të përgjysmuar, e goditur fort jo vetëm nga energjia, por edhe nga faktorë të tjerë të brendshëm.
Kriza politike që nuk po gjen zgjidhje ka penalizuar performancën e ekonomisë së vendit, duke u kthyer në një faktor pengues për shumë sektorë. Në kushtet kur ekonomia shqiptare nuk arriti t’i shpëtojë ndikimeve sezonale, institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikuan me tkurrje parashikimin për rritjen ekonomike, përkatësisht në 2.9 dhe 3%, çka detyroi më pas edhe qeverinë të ulë parashikimin në 3.9 për qind nga 4.3 për qind që ishte planifikuar në fillim të vitit.
Krahas presioneve të brendshme, vendi u karakterizua këtë vit edhe nga katastrofat natyrore. Tërmeti i 21 shtatorit, që duket se kaloi me dëme të lehta, u pasua nga ai i 26 nëntorit, me humbje jete e me dëme të mëdha, për të cilat edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj, nuk ka ende një faturë dhe një bilanc përfundimtar.
Për ekspertët e ekonomisë, më shumë se natyrore, ajo ishte një katastrofë shtetërore, që preku dy nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit: Tiranën dhe Durrësin, si dhe qytete të vogla si Shijakun, Vorën dhe Thumanën. Sa i takon ndikimit që do të ketë në ekonomi, ekspertët deklarojnë se efektet negative do të shtrihen për një periudhë afatmesme tre deri në pesë vjet.
Pasojat shkatërrimtare të tërmetit të 26 Nëntorit detyruan qeverinë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në tre qarqe të vendit: Tiranë, Durrës dhe Lezhë, çka imponon atë të paguajë në masën 100 për qind të gjitha dëmet e shkaktuara. Programi i Rindërtimit do të nisë zbatimin nga 1 janari, ndërsa Ministria e Financave ka alokuar një fond fillestar prej 13 miliardë lekësh nga rishikimi i buxhetit 2020, që së bashku me atë të donatorëve nuk i kalon 20 miliardë lekë. Por, ekspertët deklarojnë se fatura financiare vlerësohet të jetë më e lartë.
Ashtu siç kishte planifikuar, qeveria do të dalë në tregjet ndërkombëtare me një Eurobond të ri prej 500 milionë euro, duke shfrytëzuar interesat e ulëta. Ekzekutivi pritet të përdorë këtë instrument në funksion të rindërtimit, ku po për këtë qëllim ka planifikuar të marrë kredi edhe nga dy institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar si dhe Banka Botërore. Kjo shihet me skepticizëm të madh nga ekspertët e ekonomisë, pasi sipas tyre kjo do ta bënte të pashmangshme rritjen e borxhit publik.
Borxhi publik nuk shihet si shqetësimi i vetëm për ekonominë shqiptare. Teksa kontratat koncesionare të Partneritetit Publik Privat janë shndërruar në një gangrenë për financat publike, pasoja që do të bien në kurriz të qytetarëve, qeveria ka krijuar një instrument të ri, Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila synon të zhvillojë pronat shtetërore.
Por, nisma ka shkaktuar debate të forta në radhët e ekspertëve duke argumentuar se krijon rreziqe të reja fiskale. Për ta, korporata është thjesht një kontratë e re koncesionare e cila do të krijojë monopole.
2019-ta nisi dhe përfundoi pa asnjë investim të huaj të ri. Projekteve të mëdha, gazsjellësit TAP dhe kaskadës së Devollit që kanë mbajtur në nivele të larta investimet e huaja direkte po u vjen fundi.
Teksa asnjë investim tjetër nuk duket në horizont, ekspertët ngrenë alarmin për zëvendësimin e menjëhershëm të këtyre projekteve. Sipas tyre, problemet me çështjet e pronësisë, që as këtë vit nuk morën dot zgjidhje, po frenojnë kompanitë e huaja të depërtojnë në Shqipëri. Ata propozojnë një investim madhor në fushën e arsimit, si sektori bazë që duhet të marrë një vëmendje të shtuar nga qeveria.
Në vitin 2020 do të hyjë në fuqi edhe ligji për faturimin online, i njohur ndryshe si fiskalizimi. Drafti më i rëndësishëm i paketës fiskale, i cili do të nisë zbatimin nga 1 shtatori, ka pësuar ndryshime të herëpashershme për shkak të paqartësive dhe kohës së pamjaftueshme nga bizneset për implementimin e tij. Ekspertët vlerësojnë se procesi do të shoqërohet me kosto të larta për sipërmarrjen dhe do të rrisë më tej informalitetin.
Një pjesë e vendeve të rajonit së bashku me Shqipërinë kanë hedhur idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike, të pagëzuar me emrin Shengeni Ballkanik. Marrëveshja është kontestuar fort nga sipërmarrjet vendase, por edhe nga ekspertët.
Në kushtet kur po diskutohet për krijimin e një zone ekonomike të përbashkët, eksportet shqiptare këtë vit kanë parë një tkurrje të fortë. Goditjen më të madhe e ka dhënë energjia elektrike, për shkak të mungesës së reshjeve si dhe sektori fason nga ana tjetër i cili punëson rreth 80 mijë vetë në të gjithë vendin. Largimi masiv i shqiptarëve ishte goditja më e fortë që mori ekonomia shqiptare edhe këtë vit. Kriza e tejzgjatur politike por edhe pasiguritë rikthyen frikshëm dëshirën e shqiptarëve për të lënë vendin. Shifrat zyrtare tregojnë se rreth 40 mijë qytetarë kanë kërkuar azil në vendet evropiane, në kërkim të një jete më të mirë.