Telegrafi

Ekonomia shqiptare në rritje, problem borxhi publik

Bode në një konferencë të përbashkët shtypi me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani dhe përfaqësuesin e FMN-së Gerwin Bell, tha se skenari i prezantuar nga qeveria dhe diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar lidhur me projektimet për vitin 2011, është nxitës për ekonominë e vendit dhe i mundshëm për tu realizuar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani tha se ekonomia shqiptare ka një histori pozitive të rritjes ekonomike dhe përmirësim të parametrave bazë të stabilitetit makroekonomik, rënie të kontrolluar të niveleve të inflacionit, tendencë rënëse të deficit buxhetor dhe qëndrueshmeri relative të borxhit publik.

Përfaqësuesi i FMN-së, Bell, theksoi se perspektiva makroenomike e Shqipërisë është përgjithësisht e favorshme dhe ekonomia e vendit është duke u forcuar. Rritja ekonomike për këtë vit është 3 për qind ndërkohë që vitin e ardhshëm pritet të jetë 3.5 për qind.

Kjo rritje mbështetet nga ecuria e mirë e eksporteve dhe rritja shumë e mirë në sektorin e bujqësisë, tha Bell duke shtuar se pritshmëritë për inflacionin janë gjithashtu brenda parashikimeve të Bankës së Shqipërisë. /Telegrafi/