Shqipëria rezulton të jetë në fazën e bumit në sektorin e ndërtimit, krahasuar me rajonin. Sipas një analizë të Bankës Qendrore të Austrisë, prona në vendin tonë, po shihet edhe si mundësi investimi.
Ekonomia shqiptare është më e varura nga sektori i ndërtimit.
Në 2022-in vlera e shtuar e ndërtimit në prodhimit të brendshëm bruto (PBB) ishte 12 për qind, dy herë më e lartë se mesatarja në shtetet e Evropës Juglindore.
Pas Shqipërisë vjen Kosova me gati 11 për qind. Të dhënat i pasqyron Banka Qendrore e Austrisë, në një analizë të tregut të pronave në juglindje.
Sipas institucionit, Shqipëria kryeson renditjen për investimin në banesa, në masën 12 për qind të PBB-së, çka tregon se ato shihen si formë investimi me kthime të shpejta.
Por me çfarë financohet tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri? Institucioni austriak vëren se kredia e marrë për blerje banese është gati katër herë më ulët se vendet e Evropës Juglindore. Banka Austriake vëren se një burim i rëndësishëm financimi janë pikërisht paratë e emigrantëve.
Sa i përket çmimeve Shqipëria rezulton me rritjen më të fortë që nga 2019-ta me 90 për qind sipas indeksit fischer të Bankës së Shqipërisë. Në Serbi rritja ishte me 58 për qind, ndërsa në Maqedoninë e Veriut me rreth 40 për qind. /Telegrafi/