Zgjedhjet presidenciale në ShBA i vunë kandidatët për presidentë, presidentin Trump dhe presidentin e zgjedhur Biden, në përballje të shumë çështjeve të politikës së brendshme dhe ndërkombëtare, të cilat patën ndikimin e vet në elektoratin amerikan dhe pa dyshim edhe në rezultatin e votimit, që i dhanë fitoren z. Biden, i cili do të jetë Presidenti i 46-të i ShBA-së. Po cilat janë këto politika, cilat janë çështjet kryesore që ndikuan në elektorat? Sondazhe dhe exit pollet të shumta dhe nga institucione të pavarura dhe mediatike prestigjioze u bënë para zgjedhjeve dhe deri ditën e zgjedhjeve. Referuar exit pollit të rrjetit më të madh mediatik, CNN, çështjet më kryesore ishin ekonomia (rreth 38 për qind), pandemia Covid -19 (rreth 18-20 për qind). Qëndrimi ndaj minoriteteve (racave, rreth 12 për qind), qëndrimi ndaj krimit (rreth 11 për qind), qëndrimi ndaj sigurisë kombëtare etj. Qëndrimet ndaj ndryshimeve klimaterike, ambientit, sigurimit shëndetësor, ishin gjithashtu çështje me ndikim. Tashmë zgjedhjet përfunduan. Biden është presidenti i zgjedhur i ShBA-së. Një epokë e re po fillon në ShBA dhe në politiken ndërkombëtare. Sfida të mëdha janë përpara, por ekonomia dhe pandemia janë nga prioritet kryesore.
DIFERENCAT KRYESORE TË PROPOZIMEVE EKONOMIKE TË DY KANDIDATËVE NË ZGJEDHJET PËR PRESIDENT NË ShBA
Debatet në fushën ekonomike midis dy kandidatëve rrokën çështje thelbësore që kishin të bënin me politikat për rritjen dhe zhvillimin ekonomik e sidomos të infrastrukturës, politikën e taksave, atë të tregtisë, sidomos ndërkombëtare, politikat e punësimit, politikat e shëndetit, ato të ndryshimit të klimës dhe mbrojtjes së ambientit, të zhvillimit të shkencës e teknologjisë etj. Çështje që prekin drejtpërsëdrejti jetën ekonomike në ShBA dhe në glob, natyrisht edhe jetën e qytetarëve amerikanë.
1) ZHVILLIMI EKONOMIK DHE INFRASTRUKTURA
Ekonomia amerikane është ekonomia lider në ekonominë globale. Rritja ekonomike në vitin 2018 ishte 2.9 për qind nga 2.4 për qind që ishte në vitin 2017. Ajo u ngadalësua në 2.3 për qind në vitin 2019. Gjatë këtij viti, si shkak i krizës së pandemisë Covid-19, edhe ekonomia amerikane ra në recension dhe pritet të tkurret me -4.3 për qind.
Analistët gjykojnë se rritja ekonomike e dy viteve të para të presidentit Trump nuk është vetëm rrjedhojë e politikave të tij, por edhe e zhvillimeve ekonomike të dy viteve të fundit të mandatit të presidentit Obama që vazhduan efektet në vitet në vijim.
Në qendër të vëmendjes për zhvillimin ekonomik, të dy kandidatët për president në ShBA vendosën zhvillimin e infrastrukturës, propozimet dhe diferencat për të cilat ishin:
Presidenti Trump: Presidenti, i cili bëri fushatë me premtimin e rindërtimit të Amerikës, kishte kohë që kërkonte një projektligj për infrastrukturën. Duket se ka një mbështetje dypartiake për një projektligj të tillë. Ai kohët e fundit tha se donte një plan prej dy trilionë dollarësh, “shumë të madh dhe të guximshëm”, si pjesë e paketës së ardhshme të kongresit në lidhje me përballimin e situatës shkaktuar nga koronavirusi. Ai nuk ka gjasa ta marrë këtë së shpejti, kur merrni parasysh faktin që senatorët republikanë nuk duan të miratojnë ndihma që nuk kanë lidhje me pandeminë. Kur u pyet se si ShBA-ja do të financonte një paketë tjetër masive, ai përmendi normat e ulëta të huamarrjes. Ai nuk ka dhënë detaje për planin e tij. Agjenda e tij përmend fitoren në garën 5G dhe krijimin e një rrjeti kombëtar të internetit pa tel, me shpejtësi të lartë dhe dërgimin e misionit të parë me njerëz në hënë.
Presidenti i zgjedhur Biden: Ka prezantuar një plan 10-vjeçar të infrastrukturës, prej 1.3 trilionë dollarësh, si pjesë e fushatës së tij zgjedhore. Ai thotë se plani i tij do të zhvendosë ShBA-në në emetimet e gazeve serë zero dhe do të krijojë vende pune për të zgjeruar klasën e mesme. Shpenzimet përfshijnë 400 miliardë dollarë për një program të ri federal për kërkimin dhe inovacionin e energjisë së pastër, 100 miliardë dollarë për modernizimin e shkollave, 50 miliardë dollarë për riparimin e rrugëve, urave dhe autostradave në vitin e tij të parë në detyrë, 20 miliardë dollarë për infrastrukturën me brez të gjerë rural dhe 10 miliardë dollarë për projekte tranziti që shërbejnë në zona me varfëri të lartë me mundësi të kufizuara transporti. Ai thotë se plani i tij do të paguhet duke “përmbysur tepricat e shkurtimeve të taksave Trump për korporatat; duke ulur stimujt për parajsat fiskale, evazionin dhe burimet e jashtme; duke siguruar që korporatat të paguajnë pjesën e taksave që u takon; duke mbyllur boshllëqet e tjera në kodin fiskal që shpërblejnë pasurinë dhe duke u dhënë fund subvencioneve për lëndët djegëse fosile”.
2) POLITIKA E TAKSAVE
Kjo politikë ka qenë dhe mbetet një çështje sensitive në politikën ekonomike amerikane, pasi lidhet drejtpërsëdrejti me të ardhurat personale të qytetarëve amerikanë dhe nivelin e jetesës së tyre dhe me klimën dhe ndikimin në zhvillim të biznesit. Gjatë fushatës presidenciale, analistë të ndryshëm kanë diskutuar nëse politika tatimore e itTrump ndikoi në të ardhurat e qytetarëve, ndikoi në zhvillimin afatshkurtër dhe afatmesëm të zhvillimit ekonomik. A ishte ajo favorizuese për shumicën apo për një grup të pasurish? Por, më parë le të shohim propozimet dhe diferencat midis dy kandidatëve:
Presidenti Trump: Në propozimin e buxhetit në shkurt 2020, administrata Trump deklaroi se dispozitat individuale të tatimit mbi të ardhurat të përfshira në Ligjin masiv të Shkurtimeve të Taksave dhe Punëve (Tax Cuts and Jobs Act) të parashikuara të skadojnë në 2025, do të shtyhen. Midis periudhës 2025 dhe 2030, këto ulje taksash do t’i kushtojnë qeverisë federale 1.5 trilionë dollarë. Buxheti gjithashtu propozon shfuqizimin e kredive të taksave të energjisë së rinovueshme, duke ofruar kreditë e taksave për programin e Bursave të Lirisë së Arsimit dhe rritjen e buxhetit të Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave (IRS) me rreth 15 miliardë dollarë gjatë një dekade. Agjenda e Trumpit përmend kreditë e taksave “Made in America” për kompanitë dhe zgjerimin e programit ‘Zonat e Mundësive’ (Opportunity Zones program) për të rritur investimet në komunitetet e varfra. Presidenti ka bërë thirrje gjithashtu për ulje të përhershme të taksave të pagave.
Presidenti i zgjedhur Biden: Biden dëshiron të rrisë nivelin më të lartë të tatimit mbi të ardhurat nga 37 për qind në 39.6 për qind dhe nivelin më të lartë të tatimit mbi fitimin e korporatave nga 21 për qind në 28 për qind. Nëse zgjidhet, ai do të zbatojë taksat e Sigurimeve Shoqërore për fitimet mbi 400 mijë dollarë, fitimet e kapitalit tatimor dhe dividendët me norma të zakonshme për ata me të ardhura vjetore prej më shumë se një milion dollarë dhe do të vendosë 15 për qind taksë minimale mbi të ardhurat e kompanive të mëdha. Shkalla e taksave mbi fitimet e fituara nga filialet e huaja të firmave amerikane do të dyfishohet në 21 për qind. Propozimet e taksave të Bidenit do të rrisin të ardhurat me katër trilionë dollarë në periudhën midis 2021 dhe 2030. Parashikohet që 93 për qind e rritjes së taksave do të përballohen nga tatimpaguesit që gjenden në 20 për qind të familjeve me të të ardhurat të larta. Një për qind e familjeve me të ardhura të larta do të paguajnë tre të katërtat e rritjes së taksave. Shumica e studiuesve ishin (dhe vazhdojnë të jenë) të mendimit që Ligji i Shkurtimeve të Taksave dhe Punësimit (Tax Cuts and Jobs Act) që u miratua në vitin 2017 (dhe që përbënin boshtin e politikës tatimore të presidencës Trump) do ndikonte në mënyrë modeste rritjen ekonomike si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.
Deri tani, të dhënat mbështesin parashikimin për periudhën afatshkurtër. Është ende shumë shpejt për të folur për një periudhë më afatgjatë, por ende ka pak të dhëna që mbështesin idenë e një ndikimi të fortë në rritjen e investimeve që mund të çote në një rritje ekonomike më të fortë në planin afatgjatë. Ky ligj (Tax Cuts and Jobs Act), që ishte një prej politikave më të rëndësishme të Presidentit Trump, uli nivelet e taksave si për të ardhurat e biznesit, ashtu edhe për individët dhe rriti stimujt për investime. Këto stimuj mund të kenë pasur efekt modest në rritjen ekonomike në periudhën afatshkurtër dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe në planin afatgjatë. Sidoqoftë, nuk duhet të harrojmë të marrim në konsideratë edhe ndikimin negativ që pati pandemia në ekonominë e ShBA, pra, nuk mund të flasim me siguri për efektet që politika tatimore e Trumpit dha në rritjen e investimeve dhe në rritjen ekonomike në përgjithësi, sepse pandemia ndikoi negativisht në ekonominë e ShBA (ashtu siç ndikoi në ekonomitë e të gjitha vendeve).
Deri tani, politika tatimore e Trumpit ka ndikuar në ekonomi kryesisht duke rritur kërkesën për mallra dhe shërbime. Shkurtimet e taksave individuale të të ardhurave nënkuptojnë që shumica e familjeve kanë më shumë të ardhura pas tatimit, të cilat mund t’i shpenzojnë. Gjithashtu, edhe bizneset mund të kenë rritur shpenzimet për investime. Nga momenti që bizneset shohin kërkesën për produkte të tyre të rritet, ata rrisin prodhimin, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen ekonomike. Rritja në 2018 u rrit në 2.9 për qind, nga 2.4 për qind në 2017. Sidoqoftë, rritja u ngadalësua në 2.3 për qind në 2019. Megjithatë, efektet afatshkurtra që përmenda më sipër kanë qenë të kufizuara për dy arsye kryesore.
Së pari, nga politika tatimore e Trump, pra, nga uljet e taksave kanë përfituar kryesisht familjet me të ardhura më të larta ose korporatat, aksionet e të cilave, siç dihet, janë pronë e shtresave më të pasura. Familjet me të ardhura më të larta priren të shpenzojnë më pak nga rritjet e tyre në të ardhurat pas taksave, krahasuar me familjet me të ardhura më të ulëta.
Së dyti, ulja e taksave u miratua në një kohë kur papunësia ishte e ulët dhe prodhimi ishte afër nivelit të tij potencial. Prandaj, rritja e kërkesës është kompensuar nga politika monetare e shtrënguar, pasi Rezerva Federale, me qëllim shmangien e rritjes së inflacionit, i mbajti normat e interesit më të larta sesa normalisht do të ishin. Një çështje tjetër, me të cilën janë marrë analistet për politikën e taksave, ka qenë ajo nëse nga politika e taksave Trump kanë përfituar më shumë korporatat e mëdha?
Analistët mendojnë se nëpërmjet politikës tatimore të Trumpit përfituan më shumë familjet me të ardhura më të larta dhe kjo ishte edhe arsyeja se pse rritja ekonomike nuk ishte aq e lartë sa pritej. Nga ana tjetër, korporatat e mëdha kanë përfituar nga ulja e taksave, por, për momentin, edhe si pasojë e pandemisë, nuk duket të kenë dhënë ndonjë efekt në rritjen e investimeve. Çështja këtu (në bërjen e kësaj politike tatimore nga z.Trump) nuk qëndron vetëm të backgroundi ekonomik (pra, nuk është çështje personale – edhe pse kompetencat si President i ka).
Sigurisht që kjo ndikon deri në njëfarë pike, por për sa u përket politikave tatimore, Trump nuk qëndron larg traditës konservatore që karakterizon të djathtën amerikane. Me fjalë të tjera, edhe sikur të mos kishte këtë sfond ekonomik që ka qasja e tij për sa u përket politikave tatimore dhe ekonomike, do të ishte ajo e republikanëve.
Ndërsa kur flasim për të majtë dhe të djathtë, në kontekstin amerikan duhet të kemi parasysh se ndryshojnë nga mënyra se si në Evropë konsiderohet ajo që është politikë e majtë dhe ajo që është e djathtë. Pra, duhet që edhe këto terma t’i përdorim duke pasur parasysh kontekstin politik, kulturor dhe traditën politike amerikane. Propozimet e Bidenit janë tërësisht brenda logjikës të së majtës amerikane (pra, demokratëve) për sa u përket politikave tatimore, duke aplikuar një tatim progre siv, ku ata që kanë të ardhura më shumë duhet të kontribuojnë më shumë.
3) POLITIKAT E PUNËSIMIT DHE TË PAGAVE
Dhe kjo çështje ka marrë vëmendje në debate dhe fjalimet gjatë fushatës së dy kandidatëve për President në ShBA.
Presidenti Trump: Ekonomia e ShBA-së krijoi 6.6 milionë vende pune gjatë tri viteve të para, pasi Trump mori detyrën. Ndërsa programet e emigracionit ekonomik janë bërë më të rrepta nën mandatin e tij, ai ka ndaluar ndryshimet e mëdha të rregullave si heqja e së drejtës së bashkëshortëve të mbajtësve të vizave H-1B për të punuar. Miliona vende punë janë humbur gjatë krizës Covid-19 dhe do duhet kohë që këto vende të krijohen përsëri. Ideja e Trumpit për të nxitur krijimin e vendeve të punës është përmes një fature të infrastrukturës prej dy trilionë dollarësh. Ai gjatë fushatës ka hedhur idenë që qeveria të blejë bileta avioni me vlerë katër ose pesë vjet për të ndihmuar këtë industri me para. Ai gjithashtu ka ndaluar lëshimin e kartave të reja jeshile për 60 ditë (maj dhe qershor 2020) për të mbrojtur punëtorët amerikanë gjatë kësaj kohe dhe i ka kërkuar administratës së tij të rishikojë programet e punëtorëve nga jashtë.
Trump, gjithashtu, dëshiron të rrisë prodhimin në ShBA dhe synon të rikthejë një milion vende punë prodhuese nga Kina. Ai rekomandon që të mos ketë kontrata publike federale për ndërmarrjet që nxjerrin burimet jashtë vendit dhe zbritje 100 për qind të shpenzimeve për industritë thelbësore që kthejnë prodhimin në ShBA. Trump ka thënë në të kaluarën se do të dëshironte të shihte një rritje të pagës minimale federale, por do të preferonte t’ua linte këtë në dorë shteteve.
Presidenti i zgjedhur Biden: Dëshiron të krijojë “miliona vende pune të klasës së mesme” përmes planit të tij të infrastrukturës. Kjo përfshin ndërtimin e infrastrukturës së energjisë së rinovueshme dhe industrive miqësore ndaj klimës. Ai përfshin rritjen e fondeve për programe të tilla si Kredia e Taksave të Tregjeve të Reja (New Markets Tax Credit), Institucionet Financiare të Zhvillimit të Komunitetit (Community Development Financial Institutions) dhe Administrata e Zhvillimit Ekonomik (Economic Development Administration), një agjenci brenda Departamentit të Tregtisë të ShBA-së. Për të ndihmuar prodhimin, ai planifikon të katërfishojë fondet për Partneritetin e Zgjerimit të Prodhimit dhe të sigurojë kredi tatimore për të investuar në komunitete që përjetuan pushime masive nga puna. Biden dëshiron të rrisë pagën minimale federale në 15 dollarë në orë. Për shkak të krizës shëndetësore, ai ka propozuar që të 50 shtetet të miratojnë programe kompensimi për një kohë të shkurtër që financohen plotësisht dhe përgjithmonë nga qeveria federale. Biden gjithashtu dëshiron të reformojë programet e përkohshme të vizave dhe planifikon të rrisë kartat jeshile të bazuara në punësim nga 140 mijë çdo vit.
4) ÇËSHTJET E TREGTISË DHE TË MARRËVESHJEVE TREGTARE. POZICIONIMI NË EKONOMINË GLOBALE
Kjo çështje gjithashtu ka marrë shumë vëmendje për analistët dhe opinionin amerikan dhe atë ndërkombëtar. Ata kanë qenë të lidhur me filozofinë që zbatoi që në fillim me ardhjen në pushtet të presidentit amerikan Trump, “Amerika është e para”. A ishin politikat e Trumpit një kthim prapa në “proteksionizëm apo një risi për zhvillimin e ekonomisë së brendshme amerikane”? A ishin ato një ngadalësim i procesit të globalizimit? Kush përfitoi më shumë?
Presidenti Trump: Lufta tregtare me Kinën ka qenë pjesa kryesore e politikës tregtare të Trump gjatë mandatit të tij të parë. Ai premtoi të vendosë “Amerikën të parën” në të gjitha marrëdhëniet me vendet dhe të penalizojë ata, me të cilët ShBA-ja ka një deficit të lartë tregtar ose ai beson se po takson padrejtësisht kompanitë amerikane jashtë shtetit. Nuk ka asnjë shenjë që ai planifikon të ndryshojë strategjinë e tij, por ekspertët thonë se ai duhet të jetë i kujdesshëm për të mos zemëruar Pekinin, ndërsa sistemi i mbingarkuar i kujdesit shëndetësor amerikan varet nga Kina për furnizimet mjekësore. Ai përbën 48 për qind të të gjitha importeve të pajisjeve mbrojtëse personale në ShBA. Deficiti mujor i tregtisë ndërkombëtare të ShBA ishte 39.9 miliardë dollarë shkurt 2020, më i ulëti që nga shtatori 2016. Kontributi për këtë ishte ndikimi i Covid-19-shit në prodhimin kinez. Në bazë vjetore, deficiti ra për herë të parë në gjashtë vjet në 2019 në 616.8 miliardë dollarë.
Presidenti i zgjedhur Biden: Siç përshkroi ai në artikullin e tij për Punët e Jashtme, me titull “Pse Amerika duhet të udhëheqë përsëri”, Biden planifikon të ndihmojë pozicionin e Amerikës në ekonominë globale, duke investuar së pari në ShBA në inovacion dhe klasat e mesme. Ai premton ta bëjë këtë para se të hyjë në ndonjë marrëveshje të re tregtare. Ai gjithashtu thotë se mënyra më e mirë për t’u përballur me Kinën në transferimin e pronës intelektuale dhe teknologjisë është duke formuar një koalicion me aleatët dhe partnerët, jo përmes tarifave të njëanshme.
Sipas analistëve, presidenti Trump ka mbështetur qasjen për një për proteksionizëm më të madh tregtar dhe ka vendosur një seri tarifash mbi Kinën, Meksikën, Kanadanë, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë tregtarë. Administrata e tij i konsideroi të rëndësishme tarifat për tri arsye: 1) se nga to do të përfitonin punëtorët amerikanë, veçanërisht ata të sektorit të prodhimit; 2) se ata do t’u jepnin ShBA-së një përparësi për të rinegociuar marrëveshjet tregtare me vendet e tjera; dhe se 3) ato ishin të nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare amerikane. Administrata Trump argumentoi gjithashtu se tarifat ishin pjesë e një qasjeje më të ashpër negociuese që do t’u jepte Shteteve të Bashkuara përparësi për të siguruar marrëveshje më të favorshme tregtare. Gjatë mandatit të tij, Trumpi nënshkroi dy marrëveshje të mëdha tregtare: Marrëveshja ShBA-Meksikë-Kanada (USMCA), e cila azhurnoi marrëveshjen e mëparshme të Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA); dhe e ashtuquajtura marrëveshje me Kinën “Faza Një”. Tarifat amerikane sigurisht formuan kontekstin për të dyja negociatat USMCA dhe me Kinën.
Megjithatë, nëse shohim me më shumë hollësi rezultatin e këtyre negociatave, kërcënimi i tarifave nuk duket se ka sjellë fitime të konsiderueshme për ShBA. Marrëveshja ShBA-Meksikë-Kanada (USMCA) është, në përgjithësi, shumë e ngjashme me NAFTA. Ndërkohë, marrëveshja tregtare e Fazës Një me Kinën konsistonte kryesisht në marrëveshje për blerje produktesh, të cilat, pjesërisht për shkak të pandemisë Covid-19, ka shumë të ngjarë të mos arrihen.
Dhe ndërsa tarifat e Trump mund të kenë sjellë disa vende në tryezën e negociatave, në planin afatgjatë tarifat gjithashtu kanë kontribuar në largimin e partnerëve të tjerë të mundshëm tregtarë. Kur negociojnë marrëveshjet tregtare, vendet duan partnerë, politikat e të cilëve janë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, me synimin për të krijuar një partneritet afatgjatë, me fitore. Padurimi i Trumpit për të përdorur tarifat, përfshirë marrëdhëniet me aleatët e ngushtë, i ka bërë ShBA një partner tregtar më pak të dëshirueshëm për vendet e tjera.
Gjithashtu, problemet dhe mosmarrëveshjet për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me BE-në e kanë vështirësuar disi pozicionimin në këtë kontekst.
5) NDRYSHIMET KLIMATERIKE
Kjo konsiderohet një çështje shumë e rëndësishme për politikën amerikane dhe atë globale, veçanërisht pas qëndrimit të presidentit Trump ndaj Marrëveshjes së Parisit për Klimën.
Presidenti Trump: Nuk beson në ndryshimin e klimës dhe është një mbështetës i fortë i industrisë së karburanteve fosile. Si President, ai ka pezulluar rregullat mjedisore, ka në plan të japë me qira miliona hektarë tokë publike për shpime dhe ka filluar procesin e gjatë për të dalë nga marrëveshja e klimës në Paris. Axhenda e tij përmend në mënyrë të paqartë “pastrimin e oqeaneve të planetit tonë” dhe ruajtjen e aksesit në ajër të pastër dhe ujë të pijshëm.
Presidenti i zgjedhur Biden: Ndryshimi i klimës përmendet në shumë nga planet e tij, veçanërisht në infrastrukturë dhe tregti, por kritikët thonë se plani i tij nuk është aq ambicioz sa duhet. Plani i tij i klimës do të kërkojë shpenzime federale prej dy trilionë dollarësh gjatë mandatit të tij të parë dhe synon të vendosë ShBA në rrugën për të arritur një ekonomi 100 për qind të energjisë së pastër me emisione zero jo më vonë se 2050. Ai thotë se do të paguhet duke përmbysur “ekseset” e uljes së taksave të Presidentit Trump, për korporatat dhe përfundimin e subvencioneve për lëndët djegëse fosile.
Disa pika kryesore të Bidenit: Rikthim në Marrëveshjen e Klimës në Paris; Një sektor i energjisë pa ndotje të karbonit deri në vitin 2035; Rehabilitimi dhe modernizimi i ndërtesave dhe infrastrukturës së ShBA; Emisionet zero të transportit publik për të gjitha qytetet deri në vitin 2030; 400 miliardë dollarë investime në inovacion dhe kërkime klimatike.
6) POLITIKAT E SHËNDETIT DHE QËNDRIMI E MASAT ANTI-COVID
Politikat e shëndetit, kujdesit shëndetësor dhe lidhjet e ekonomisë dhe pandemia e Covid-19-shit, pasojat dhe masat për përballimin e saj, natyrisht nuk mund të mos ishin jashtë vëmendjes, përkundrazi. Ja qëndrimet:
Presidenti Trump: Në propozimin e buxhetit 2021, administrata Trump ka propozuar shkurtime të thella të kujdesit shëndetësor gjatë dekadës së ardhshme, veçanërisht për Medicaid (900 miliardë dollarë) dhe Medicare (450 miliardë dollarë). Ai kërkon 94.5 miliardë dollarë për Departamentin e Shëndetit dhe të Shërbimeve Njerëzore, një rënie prej 10 për qind nga niveli i miratuar në vitin 2020. Axhenda e tij, megjithatë, përmend mbrojtjen e Sigurimeve Shoqërore dhe Medicare, përveç uljes së primeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor dhe përfundimit të faturimit të befasishëm. Trump ka premtuar në mënyrë të përsëritur për të ulur çmimet e ilaçeve, por nuk janë parë rezultate të rëndësishme deri më tani.
Presidenti i zgjedhur Biden: Biden ka përmendur disa herë se ishte pranë Obamas kur u nënshkrua Akti i Kujdesit të Përballueshëm (Affordable Care Act) dhe u zotua ta mbrojë dhe zgjerojë atë. Ka deklaruar se do të eliminojë kufirin e të ardhurave prej 400 për qind për pranueshmërinë e kredisë tatimore dhe do të ulë kufirin e kostos së mbulimit në 8.5 për qind të të ardhurave. Ai gjithashtu dëshiron të ulë moshën e pranimit për Medicare nga 65 vjeç në 60. Ka deklaruar se plani i tij do të sigurojë më shumë se rreth 97 për qind të amerikanëve dhe do të kushtojë 750 miliardë dollarë gjatë një dekade.
Ndryshimi i qëndrimeve vihet re në disa pika kyçe, siç janë: rihapja e ekonomisë, hapja ose jo e shkollave, mbështetja ekonomike e njerëzve dhe bizneseve, papunësia e shkaktuar nga pandemia, vendosja e maskave, testimet, vaksina, mjekimi etj. Në të gjitha këto pika vihet re një qasje më racionale dhe e drejtuar nga sugjerimet e specialistëve të fushës nga ana e Bidenit dhe një qasje më impulsive, emocionale dhe e drejtuar nga përllogaritjet politike nga ana e Trumpit. Kështu, për sa i përket hapjes së ekonomisë, Biden ka deklaruar se do të vendosë atë që sugjeron edhe shkenca për këtë çështje, megjithëse për momentin nuk sheh nevojën për një mbyllje të dytë. Nga ana tjetër, Trump është kundër mbylljes së ekonomisë dhe në deklaratat e tij gjatë fushatës kishte mbajtur një qëndrim pro hapjes së çdo biznesi dhe rikthimit në normalitet të plotë nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Në lidhje me çështjen e gjendjes së shkollave duket se të dy kandidatët ishin për mbajtjen e shkollave të hapura, por ndërsa Biden mëshon për furnizim sa më të mirë të sistemit të shkollave publike me të gjithë asistencën e duhur për të parandaluar përhapjen e virusit, Trump ka deklaruar se shkollat duhen hapur pa dhënë diçka konkrete për mbështetjen që qeveria federale duhet të japë. Në lidhje me mbështetjen ekonomike për bizneset, të dy janë shprehur në favor të një pakete mbështetëse, por pa dhënë detaje për diçka konkrete. Në lidhje me papunësinë, Biden ka deklaruar se do të krijojë një iniciativë të papunësisë në krizat shëndetësore për të ndihmuar të gjithë punëtorët që përballen me humbjen e punës për shkak të krizës Covid-19. Një pjesë e planit të tij përfshin shtrirjen e sigurimit të papunësisë në krizën Covid-19 për të ndihmuar ata që janë pa punë, si dhe sigurimin të punësimit me orë të reduktuara ose mekanizma të tjera lehtësuese.
Propozimi i fundit i Trumpit përfshinte një raund të dytë të pagesave direkte deri në 1,200 dollarë për të rriturit dhe 1000 dollarë për fëmijët; përfitimet e zgjeruara të papunësisë me 400 dollarë në javë dhe fonde shtesë për shtetet dhe qeveritë lokale. Sipas planit të Bidenit për mbështetjen ndaj bizneseve, ai do të sigurojë grante për bizneset për të mbuluar kostot e rifillimit dhe për të krijuar një strukturë të përkohshme të huas për biznesin e vogël dhe të mesëm. Trump premtoi 25 miliardë për firmat e transportit ajror dhe 135 miliardë për bizneset e vogla.
Në lidhje me vendosjen e maskës, Biden ka deklaruar se ajo duhet të bëhet e detyrueshme në të gjitha ambientet për të paktën tre muajt e ardhshëm, ndërsa Trump ka një qasje kundër vendosjes së maskës. Për testimet, Biden ka deklaruar se ato do të jenë të aksesueshme për të gjithë dhe falas. Edhe Trumpi ka deklaruar se 150 milionë teste do të jenë të disponueshme në javët e ardhshme. Dhe, së fundi, në lidhje me vaksinën, Biden ka qenë më i rezervuar për kohën kur ajo do jetë e disponueshme, duke thënë se kjo gjë pritet të ndodhë në vitin e ardhshëm, ndërsa Trump është shfaqur më optimist duke thënë se brenda këtij viti vaksina do të jetë gati. Ndërkaq, presidenti i zgjedhur Biden, ditën e hënë konstituoi Task-Forcen e tij për përballjen me sfidën e koronavirusit.