Ekonomia botërore është rritur këtë vit për 3 për qind, që është norma më e lartë qysh në vitin 2011, vlerësuan Kombet e Bashkuara.
Në raportin vjetor për rritjen globale, OKB tha se rritja e përgjithshme ekonomike ka vazhduar të nxitet nga Kina dhe vendet e tjera aziatike, porse përmirësimi i vazhdueshëm në Rusi, Brazil, Argjentinë dhe vende të tjera në zhvillim ka ndikuar po ashtu pozitivisht.
Liu Zhenim, nënsekretar i OKB-së për çështje ekonomike dhe sociale, tha se rritja “është shenjë mirëseardhjeje për një ekonomi më të shëndetshme”.
Por, ai po ashtu paralajmëroi se rritja mund të vijë me një kosto mjedisore, “sidomos në rritjen e emetimeve të gazrave serrë”.
Përkundër përmirësimit të perspektivës afatshkurtër, ekonomia globale vazhdon të përballet me sfida afatgjata, përfshirë ndryshimet e politikës tregtare dhe tensionet në rritje gjeopolitike, thuhet në raport. /Telegrafi/