Telegrafi

Ekonomia gjermane tejkalon periudhën e keqe

Morali i investitorëve në Gjermani u rrit ndjeshëm gjatë nëntorit, duke sinjalizuar se ekonomistët dhe analistët mendojnë se ekonomia më e madhe në Europë e ka lënë pas periudhën më të keqe.

Indeksi ZEW u rrit fuqishëm, në 11.5 pikë në nëntor, nga -3.6 që ishte në tetor, hera e parë që ky indeks binte në territor negativ që nga nëntori i vitit 2012. Ky rezultat ishte shumë herë më i mirë se parashikimet e analistëve prej vetëm 0.5 pikë. Analistët dhe politikanët e vendit janë të ndarë mbi faktin nëse qeveria duhet të “shpëtojë” ekonominë e saj apo të ecë e vetme.

Gjermania arriti të shmangë recesionin në tremujorin e tretë të këtij viti, duke u rritur me vetëm 0.1 për qind. Por, pavarësisht të dhënave të dobëta zyrtarët gjermanë janë shprehur se nuk do të shpenzojnë më tepër për të stimuluar rritjen. Gjithashtu, edhe për të gjithë Eurozonën morali i investitorëve u rrit ndjeshëm. Indeksi ZEW për të gjithë bllokun u përmirësua ndjeshëm, në 11 pikë në Nëntor nga 4.1 pikë që ishte në tetor.

Analistët parashikonin një rritje më të lehtë deri në 4.3 pikë. Menjëherë pas këtij raporti, monedha euro u rrit ndjeshëm, me rreth 0.6 për qind në raport me dollarin amerikan, deri në 1.2530 dollarë. Megjithatë, ekonomistët e këtij instituti shprehen se pavarësisht përmirësimit, kushtet në Eurozonë mbeten të brishta për shkak të tensioneve gjeopolitike në rajone të ndryshme të botës. /Telegrafi/