Telegrafi

Ekonomia gjermane e fillon vitin me këmbë të mbarë

Morali i biznesit në Gjermani ka prekur nivelin më të lartë në 6 muajt e fundit, në të dhënat referuar muajit janar.

Ngjitja në këtë indkes vjen për të tretin muaj me radhë. Analistët shprehen se këto janë sinjale të forta se ekonomia më e madhe e Europës e ka filluar vitin me këmbën e mbarë. Indeksi IFO, i cili mat klimën e biznesit, është regjistruar në 106.7 pikë. Ndërkohë në muajin Dhjetor të vitit të shkuar ky indkes regjistrohej në 105.5 pikë.

Leximi më i fundit ka tejkaluar edhe pritshmëritë, të cilat flisnin për një nivel në 106.3 pikë. Ekspertët shprehen se çdo gjë është në vendin e duhur për të shënuar një tjetër vit të rëndësishëm për ekonominë gjermane.

Gjithsesi, rezultati i zgjedhjeve në Greqi pritet të ofrojë një panoramë disi të ndryshuar. Kryeministri i ardhshëm i Greqisë, Tsiparas, menjëherë pas fitores deklaroi se 5 vitet e vuajtjeve dhe poshtërimit për Greqinë, si rezultat i kërkesës së kreditorëve ndërkombëtarë, tashmë kanë marrë fund.

Politikanë gjermanë i kanë bërë thirrje Greqisë që ti përmbahet marrëveshjes. Indeksi IFO tregon gjithashtu se bizneset e anketuara presin një situatë më optimiste për muajt e ardhshëm.

Anketa tregon një përmirësim në sektorin e prodhimit, si dhe atë të shitjeve me pakicë dhe shumicë. Firmat e ndërtimit janë ato që kanë shënuar rezultatin më negativ, duke regjistruar një indeks në rënie, krahasuar me muajin paraardhës. /Telegrafi/