Ekonomia e Spanjës ka pasur një rritje të qëndrueshme në tremujorin e katërt, duke treguar një nga normat më të mëdha të rritjes për vitin 2016 në Eurozonë.
Megjithatë, rimëkëmbja e mbështetur te konsumi mund të ngadalësohet në muajt e ardhshëm për shkak të rritjes së inflacionit brenda vendit dhe tensioneve politike nga jashtë. Rritja e tremujorit të katërt shënoi 0.7 për qind, deklaroi Zyra Kombëtare e Statistikave në të dhënat paraprake. Rritja prej 3.2 për qind e ekonomisë për të gjithë vitin 2016 ishte shifër e njëjtë me vitin e kaluar, gjë që sjell vitin e tretë radhazi të rimëkëmbjes së fuqishme pas recesionit në vend.
Vrulli i ekonomisë do të jetë një e dhënë e fortë për Kryeministrin Mariano Rajoy, ndërkohë që qeveria e tij përpiqet të ulë deficitin publik pa u mbështetur shumë në uljet e mëdha të shpenzimeve. Një element që mund të pengojë rritjen ekonomike të Spanjës për 2017-ën do të jetë rritja e çmimeve.
Me rritjen e inflacionit, fuqia blerëse e ekonomive familjare do të kufizohet. Sipas ekonomistëve, vrulli i krijimit të vendeve të punës pritet gjithashtu të ngadalësohet dhe efektet e faktorëve të tjerë që kanë stimuluar ekonominë, si uljet e taksave nga 2015-a, pritet të reduktohen.
Qeveria parashikoi në muajin dhjetor një rritje prej 2.5 për qind të ekonomisë për 2017-ën.
Zyrtarët mendojnë se kjo do të ulë deficitin në nivelin prej 3.1 për qind në raport me GDP, nivel që u ra dakord me Brukselin në mënyrë që vendi të mos gjobitej. /Telegrafi/