Ekonomia e Shqiperisë ka përshpejtuar ritmet e rritjes në tremujorin e parë të vitit 2018. Sipas të dhënave të INSTAT-it, prodhimi i brendshëm bruto në tremujorin e parë është rritur me 4.45% në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm, nga më pak se 4% që ishte rritja për vitin 2017.
“Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë sektori i energjisë, që ka ndikuar me 2.45 pikë përqindje, pra më shumë se gjysmën e rritjes. Sipas INSTAT, energjia elektrike ka dhënë kontributin kryesor, me 1.9 pikë përqindje. Në tremujorin e parë të vitit ka pasur eksport të shtuar të energjisë elektrike për shkak të motit me reshje. Edhe konjuktura më e favorshme ndërkombëtarë që ka nxitur shitjet e naftës dhe mineraleve jashtë”, njofton INSTAT.
Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi kanë ndikuar me 0.54 pikë përqindje në rritjen ekonomike në tremujorin e parë.
“Ndërtimi, që ka udhëhequr rritjen në vitin 2017, kontribuoi vetëm me 0.17 pikë përqindje në rritje. Një tjetër element që ka ndikuar është dhe gazjsllësi TAP. Më herët Banka e Shqipërisë raportoi një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë, që erdhi kryesisht nga gazsjellësi TAP. Ky i fundit ka përshpejtuar ritmet e investimeve në tremujorin e parë, për shkak të ndërtimit të stacionit të kompresorëve në Fier dhe futjes së tubave nën lumenjtë e Skraparit, që janë investime të kushtueshme:, thekson INSTAT në një publikim.
Ecuri pozitive ka pasur dhe bujqësia, që ka ndikuar në 0.37% të rritjes.
Ndikimi i informacionit dhe komunikacionit në rritje ka qenë negativ, për shkak të daljes nga tregu të operatorit të katërt celular, Plus.
Me rënie ka qenë dhe aktiviteti financiar dhe i sigurimeve, por INSTAT sqaron se ka pasur ndikim kursi i këmbimit, pasi në vlerë nominale, i zhveshur nga efektet e kursit, sektori ka rezultuar me rritje. /Telegrafi/