Site icon Telegrafi

Ekonomia e SHBA në “formë të mirë”

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ekonomia e Shteteve të Bashkuara është përgjithësisht në “gjendje të mirë”, me ekonominë që pritet të fitojë vrull pavarësisht dollarit të vlerësuar, megjithatë paralajmëroi se shumë amerikanë po dalin nga fuqia punëtore apo po jetojnë në varfëri.

 

FMN pret që ekonomia e SHBA të rritet me 2.2% në 2016-ën, në rënie nga parashikimet e bëra në muajin Prill prej 2.4%. Megjithatë, Fondi e mbajti të pandryshuar rritjen për 2017-ën në 2.5%, me inflacionin që do të rritet drejt objektivit të Rezervës Federale prej 2%. FMN e sheh tashmë dollarin si të mbivlerësuar me 10%, bazuar në kursin real efektiv të këmbimit kundrejt valutave kryesore globale.

 

Christine Lagarde, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, tha në një konferencë se kjo nuk vjen për shkak të manipulimeve të valutës nga partnerët tregtar të Shteteve të Bashkuara për të rritur eksportet e tyre, por prej paqartësive globale që shkaktojnë një vërshim drejt aktiveve në dollarë.

 

“Vlerësimi i dollarit në 12 muaj e fundit vjen prej nivelit të paqartësive në botë, si dhe prej luhatjeve të çmimeve të lëndëve të para që kanë zakonisht një impakt të drejtpërdrejt në vlerësimin e dollarit në lidhje me valutat e tjera”, tha Christine Lagarde.

 

Ajo paralajmëroi gjithashtu për rritjen e papritur të normave të interesit nga Rezerva Federale, duke thënë se Fondi mendon që Banka Qendrore duhet të vendosë stabilitetin si prioritetin më të lartë, ndjekur me rritje graduale dhe transparente të normave të interesit.

 

FMN identifikoi 4 sfida për rritjen e ekonomisë së SHBA: rënien e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore ndërkohë që popullsia plaket, rënien e produktivitetit, një shoqeri ku rritja e të ardhurave është përqëndruar te amerikanët e pasur, si dhe shumë njerëz që jetojnë në varfëri.

 

Institucioni bëri thirrje gjithashtu për politikëbërësit që të marrin hapa për rritjen e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, duke përfshirë përmirësimin e kujdesit për fëmijët dhe përfitime të tjera në mënyrë që të tërheqë më shumë femra në fuqinë punëtore si dhe të ndjekë reformat për emigracionin. FMN bëri gjithashtu thirrje që të rritet paga minimale federale. /Telegrafi/

Exit mobile version