Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar sot një faqe të re me informata statistikore për indikatorët kryesorë të ekonomisë së Kosovës, duke bërë kështu një avancim të standardeve të publikimit të statistikave.
Kjo faqe është emëruar “Ekonomia e Kosovës në një shikim”, pasi përmban një pasqyrë të shkurtër të indikatorëve kyç ekonomikë.
Të dhënat e publikuara në ketë format janë një përgjigje ndaj kërkesave të përdoruesve për të poseduar të gjithë indikatorët kryesor statistikor në një vend, thuhet në komunikatë.
Indikatorët kryesorë të përfshirë në këtë faqe janë: produkti i brendshëm bruto, çmimet, tregun e punës, sektorin e jashtëm, kursin e këmbimit, normën e interesit, kreditë, financat qeveritare dhe popullsinë. Të dhënat e publikuara janë në formë tabelore dhe grafikore.
Të dhënat do të publikohen sipas kalendarit 90 ditë pas përfundimit të tremujorit referues. Burimet kryesore të të dhënave janë BQK, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministria e Financave, Banka Qendrore Evropiane dhe Agjencia Reuters. /Telegrafi/