Telegrafi

Ekonomia e Gjermanisë në recesion

Ministri i Ekonomise Michael Glos tha se nuk ishte e qartë nëse ekonomia do të jetë në gjendje të rimëkëmbet në gjysmën e dytë të këtij viti.

Siç njofton korrespondentja e BBC-së në Berlin, Tristana Moore, ekonomia më e madhe e Evropës po shkon drejt recesionit më të rëndë që e ka prekur atë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe të tilla janë përmasat sa që qeveria gjermane ka shkurtuar në mënyrë radikale parashikimin e saj për rritje.

Sipas projeksionit më të fundit, ekonomia do të shënojë rënje prej dy pikë njëzet e pesë për qind këtë vit.

Rënia globale ekonomike ka bërë që të ulet ndjeshëm kërkesa për mallra gjermane. Eksportet pritet të shënojnë rënje prej gati 9 përqind dhe ky është lajm i keq për ekonominë e Gjermanisë, motor i së cilës janë eksportet.

Ndërsa recesioni po fillon të ndjehet, kompanitë gjermane po bëjnë shkurtime.

Qeveria e kancelares Angela Merkel shpreson se paketa me stimuj fiskal në vlerë 65 miliardë dollarë do t’i japë shtytje ekonomisë përsëri – por disa ekspertë thonë se shpenzimet plotësuese në projekte të infrastrukturës dhe shkurtime modeste të taksave nuk do të mjaftojnë për të parandaluar një recesion të gjatë e të thellë.