Ekonomia e Britanisë së Madhe u rrit me një hap ndjeshëm më të ngadaltë gjatë muajit gusht, duke rritur më tej frikërat për një rimëkëmbje të dobët pas krizës që u shkaktua nga pandemia COVID-19.
Siç tregojnë të dhënat e fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit u rrit me një normë prej vetëm 2.1 për qind gjatë muajit gusht, krahasuar me muajin paraardhës, që është edhe norma më e ulët që prej majit, kur edhe nisi rimëkëmbja.
Shifra nuk është as sa gjysma e parashikimeve të ekonomistëve të Reuters, që flisnin për një normë rritje prej 4.6 për qind.
“Ndërkohë që të dhënat e fundit konfirmojnë një vijim të ringjalljes së ekonomisë gjatë gushtit, reduktimi drastik i termave të rritjes, sinjalizon se rimëkëmbja mund të ketë humbur vrullin, me prodhimin ende shumë larg niveleve të para krizës”, thonë ekonomistët.
Më shumë se gjysma e rritjes gjatë gushtit erdhi nga sektori i akomodimit dhe ai i ushqimit, ku prodhimi u regjistrua në rritje me 71.4 për qind.
Valuta britanike u dobësua ndaj dollarit amerikan menjëherë pas publikimit të këtyre të dhënave. /Telegrafi/