Telegrafi

Ekonomia amerikane shënon rënie për të tretin tremujor

Departmenti amerikan i Tregtisë thotë se ekonomia në Shtetet e Bashkuara shënoi rënie me një mesatare vjetore prej 0,5 përqind gjatë muajve korrik dhe shtator, duke u përputhur me parashikimet e publikuara më parë. Shpenzimet e konsumatorëve dhe eksportet ranë së bashku me fitimet e korporatave.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Toni Frejto thotë se shifrat e prodhimit të përgjithshëm në vend për tre-mujorin e tretë nuk ishin të papritura, dhe tre-mujori i tanishëm është thujse e sigurt se do të jetë edhe më i dobët.

“Tremujori i katërt, për shkak të krizës së kredive dhe tronditjes së tregut financiar, do të jetë shumë më i dobët. Ne e shohim këtë që nga të dhënat e rrogave mujore që janë deklaruar. Prandaj, ky tre-mujor do të jetë i vështirë. Ne jemi përqendruar tek zbatimi i paketës së shpëtimit të financave dhe përpjekjeve të Rezervës Federale për të nxitur rritjen ekonomike, për ta rritur mundësinë për marrjen e kredive, në mënyrë që ekonomia të rimëkëmbet përsëri.”

Shtetet e Bashkuara besohet të kenë qenë në recesion që nga dhjetori i vitit të kaluar. Gjatë asaj kohe, papunësia në vend është rritur me një përqind.

Ngadalësimi ekonomik ka bërë që bizneset të ulin çmimet me shpresën se mund të rrisin kërkesën për mallrat dhe shërbimet e tyre. Por konsumatorët nuk duken të entuziazmohen./woa/