Ekolëvizja e Gjelbër, me anë të një njoftimi i është drejtuar edhe njëherë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta votojnë propozimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, për importimin e automjeteve më të vjetra se dhjetë vite.
“Komisioni i këtij Parlamenti, pa asnjë argument propozon që në Kosovë mund të importohen veturat me vjetërsi deri në 15 vjet. Me keqardhje duhet theksuar se ky komision, i quajtur për zhvillim ekonomik, me asnjë argument nuk e ka arsyetuar vendimin në fjalë. Ne thellë besojmë se importimi i veturave të vjetra në Kosovë, jo vetëm që thellësisht e dëmtojnë mjedisin, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, por që në asnjë mënyrë nuk ndikon në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien në Kosovë”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Ekolëvizja e Gjelbër, për herë të dytë i drejtohet Kuvendit që mos ta votoj këtë propozim, duke pas parasysh që mjedisi në Kosovë edhe tani është në gjendje shumë të vështirë, i ndotur dhe i atakuar edhe nga shumë faktor të tjerë, shumë mirë të njohur për tërë ne dhe qytetarëve tonë.
Në fund, të gjelbrit thonë se “është mirë të bazohemi edhe nga përvoja e vendeve të rajonit e në veçanti Shqipëria e cila tanimë me vendimin e fundit, nuk mund të importohen vetura më të vjetra se dhjetë vite”. /Telegrafi/