Telegrafi

Eklipsi diellor zgjoi interesim edhe në Kosovë, qytetarët kishin dalë për ta parë nga sheshi i Prishtinës

Të martën (25 tetor), hëna do të kalonte para diellit duke shkaktuar një eklips të pjesshëm diellor, eklipsi i fundit diellor i vitit 2022.

Dhe siç është thënë, eklipsi i dytë dhe i fundit diellor i këtij viti do të jetë i dukshëm vetëm nga disa zona të Tokës—  kryesisht pjesë të Evropës, Afrikës dhe Azisë.

Ndryshe, “Astronomët e Kosovës” përmes një njoftimi ditë më parë kanë bërë të ditur se “më 25 tetor 2022, ju ftojmë të vrojtoni me ne Eklipsin e Diellit, fenomen spektakolar që paraqitet kur Hëna pozicionohet mes Diellit dhe Tokës, me ç’rast një pjesë e sipërfaqes tokësore eklipsohet nga Hëna”.

Kështu, eklipsi zgjoi interesimin e qytetarëve si dhe nxënësve që kishin dalë për ta parë edhe në Prishtinë.

Në këtë drejtim, Radio Evropa e Lirë ka sjellë disa fotografi që tregojnë disa qytetarë të Prishtinës kanë mundur ta shijojnë eklipsin e Diellit nga sheshi i Prishtinës. /Telegrafi/